Opozita shqiptare ASH-AA kërkon dorëheqjen e Filipçes dhe Hasanit

Duke ndjekur tempon e vaksinimit të popullatës së Maqedonisë së Veriut dhe duke e krahasuar atë me vendet europiane, madje edhe me ato të rajonit, nuk mund të mos jemi të shqetësuar me këtë që po ndodhë në vendin tonë. Ne po bëhemi vendi i parë më vdekshmëri në Europë, ndërsa i fundit për vaksinim.
Sipas një burimi të Bloomberg-ut, ku është paraqitur analiza e vaksinimit të deritanishëm të popullsisë për shtete, shihet qartë se me këtë tempo siç ka filluar, Maqedonia e Veriut ngec shumë pas vendeve të rajonit, madje kur llogaritet faza e kaluar dhe kjo që vijon, i bie se për imunizimin e plotë të popullatës në vendin tonë do të duhet të presim edhe 10 vjet të plota.
Në anën tjetër, tragjikomedia vazhdon. Jo më shumë se para dhjetë ditëve, zëvendëskryeministri i vendit, Artan Grubi, në një emision krekosej se mund të sigurojë në çdo moment deri në 5 milionë vaksina, mbase duke mos e ditur se cili është kuptimi i saktë i atij numri. Sikur të mos ishte tragjedia, sepse çdo ditë po rritet numri i vdekjeve, deklaratat e eksponentëve të BDI-së do të ishin komedi.
Duke mbetur në mëshirë të fatit, pra pas asnjë mbështetje nga Qeveria, qytetarët kanë filluar ta bëjnë betejën me pandeminë Covid 19 kush si gjendet: dikush shkon në Serbi për vaksinim e dikush në Shqipëri.
Kjo edhe është arsyeja që koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA i mban përgjegjës për këtë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, ministrin Venko Filipçe dhe zëvendësin e tij, Ilir Hasani, të cilët janë emrat e përveçëm të këtij dështimi dhe të kësaj tragjedie të numrave të vdekjeve dhe infektimeve në RMV. Prandaj, dorëheqja do të ishte gjëja më e vogël që ata mund ta ofrojnë, që së paku moralisht të shpresojnë për shfajësim.
Për fund po e përsërisim se neve si shtet na duhet një garanci se Maqedonia e Veriut do t’i sigurojë vaksinat për gjithë popullsinë, që një ditë e më parë të fillojë imunizimi i gjithë popullatës. Në të kundërtën, edhe pse nuk do kishim dashur të ndodhë një skenar i zi, por e ardhmja mund të jetë me dëme edhe më të mëdha njerëzore dhe materiale.

Marketing

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA – Shkup

Marketing