Ora policore/Mbi 50 telefonata për ilaçe, mbi 200 për ushqim, komunat dërgojnë barëra, marketet produkte ushqimore!

Për shkak të orës policore një pjesë e barnatoreve dhe marketeve janë të hapura. Qytetarët mund të furnizohen me barëra përmes komunës në të cilën jetojnë. Por ka edhe persona që kanë leje për të shkuar në barnatore. Një prej tyre është Angellina e cila blen ilaçe për djalin e saj Pançen.

Marketing

“Kam fëmijë me nevoja të veçanta. Kemi leje prej orës 11 deri në orën 13. Dhe të marrim barëra që na nevojiten. A e keni më vështirë për shkak të kufizimit? Sigurisht që po, por kur është për të mirën tonë duhet të durojmë”, thotë Angella Stankovska, qytetare.

Por, ka edhe raste urgjente. Për shkak se vajza e tij, Resmija, ka pasur temperaturë të lartë, babi Zllate Stankovski, nga Shuto Orizarja, ka ardhur në barnatore për të blerë barëra.

“Tani më dërguan për shkak se vajza ka temperaturë. Isha në kujdestari, kam edhe vërtetim që të vijë deri në barnatore dhe të kthehem në shtëpi. Sa kohë është me temperaturë? Që dje në mbrëmje. Tani erdhët? Po në mëngjes për shkak se nuk e kam ditur që edhe mbrëmë kam mundur të shkoj në ambulantë”, thotë Zllate Stanovski, qytetar.

Komuna e Çairit ka angazhuar dy persona për të dërguar barëra qytetarëve që i takojnë kësaj komune, nga ora 10 deri në orën 20. Zëdhënësi, Kushtrim Alla, thotë se deri në orën 13 kanë pasur 50 thirrje nga qytetarët që kanë kërkuar barëra, por 30 prej tyre janë shërbyer për shkak se 20 qytetarë kanë qenë nga një komunë tjetër.

“Zakonisht barnat të cilat kërkohen më së shumti janë barna të cilat kanë të bëjnë me sëmundje specifike, siç është sëmundja e diabetit. Barna për të cilat qytetarët kanë nevojë siç janë ato barna bazike të cilat i përdorim, analgin, paracetamol por edhe sirupe të ndryshme të cilat janë të nevojshme për trajtimin e ndonjë ngripi sezonal tek fëmijët”, theksoi Kushtrim Alla, zëdhënës i komunës së Çairit.

Marketet dhe shitoret e hapura vetë duhet të dërgojnë produktet ushqimore të cilat i porosisin qytetarët.