Origjina dhe fati i universit, Stephen Hawking “provokon” edhe në shqip

Nga Elida Marvataj-

Marketing

A mund të gjendet pikënisja e gjithçkaje, nëpërmjet një teorie të unifikuar të universit? Pikërisht kjo është pyetja themelore që Stephen Hawking shtron në librin e tij “Teoria e gjithçkaje”, një ndër titujt më të njohur dhe njëkohësisht më të shitur në botë, i cili së fundi është botuar në gjuhën shqipe.

I konceptuar si një cikël i shkurtër leksionesh, “Teoria e gjithçkaje” është një libër për publikun e gjerë, ku Hawking flet me një gjuhë të thjeshtë për të shpjeguar teoritë e ndërlikuara të universit. Ai e nis me një histori të universit, që nga pohimi i Aristotelit se Toka është e rrumbullakët deri te zbulimi i teleskopit Hubble, për të vijuar me një nga çështjet më të rëndësishme të punës kërkimore që zhvilloi gjatë një jete: vrimat e zeza, të cilat në fakt nuk janë edhe aq të zeza, duke folur gjithashtu për kohën dhe mundësitë për të pasur një teori të përgjithshme dhe të bashkuar që shpjegon universin. Në këtë mënyrë ai mendonte se çështjet që deri dy shekuj më parë ishin eksluzivitet i trajtimit filozofik, tashmë mund t’i shpjegojë vetëm shkenca.

“Në shekullin e tetëmbëdhjetë, filozofët e konsideronin të gjithë dijen njerëzore, përfshi shkencën, si pjesë të fushës së tyre dhe diskutonin pyetje të tipit: “A ka pasur universi një fillim?”. Por në vazhdën e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, shkenca u bë shumë teknike dhe matematikore për filozofët dhe për të tjerët, përveçse për pak specialistë. Kështu që filozofët e reduktuan aq shumë fushën e kërkimeve të tyre, sa që Wittgenstein, filozofi më i famshëm i këtij shekulli, pranoi se “Detyra e vetme që i mbetet filozofisë është analiza e gjuhës.” Çfarë zhvlerësimi krahasuar me traditën e madhe filozofike nga Aristoteli deri te Kanti!”, shkruan në këtë libër ai.

Hawking mendonte se pikënisja e universit është shpërthimi i big bang-ut, ku e gjithë materia ishte pafundësisht e vogël dhe jashtëzakonisht shumë e dendur. Nga ky shpërthim, u krijua universi që ne njohim sot, i cili nuk është një realitet statik, por vazhdimisht i lëvizshëm. Aktualisht, Hawking thotë se ndodhemi në fazën e zgjerimit, gjë që pjesërisht shpjegon pse koha shkon nga e shkuara drejt së ardhmes dhe nuk ndodh e kundërta: për shembull se përse shohim filxhanin që bie nga tavolina dhe ndahet në dhjetëra copa dhe nuk arrijmë të shohim copat e ndara që bashkohen dhe formojnë filxhanin në tavolinë. Për shkak të forcave gravitacionale, do të vijë një moment që drejtimi i universit do të ndryshojë, nga zgjerimi do të shkojë drejt tkurrjes dhe me shumë mundësi koha do të kthehet pas: por atëherë pak gjasa ka që specia njerëzore të jetë ende në Tokë, sepse Dielli do të jetë shkatërruar me kohë.

Dhe ekzaktësisht bazuar në këto arsyetime, ai nuk e hedh poshtë as ekzistencën e një krijuesi, por punës së tij i vendos limite të qarta bazuar në ligjet e fizikës. Ka ende gjëra të panjohura në funksionimin e universit ku Hawking tregohet racional kur thotë se nuk mund të hedhim poshtë ekzistencën e Zotit, por nëse Ai “ka dorë” në krijimin e gjithçkaje, do të ketë ndodhur pas shpërthimit të famshëm të big bang-ut.

Ky është një libër që i përket shkencës së komunikuar. Stephen Hawking  njihet gjerësisht si një nga mendjet më të ndritura të kohës sonë: një studiues brilant i fizikës teorike i cili me punën e tij na ndihmoi të rikonfiguronim modelet e universit dhe të zbulojmë se çfarë ka në të. Botimi në shqip i librit “Teoria e gjithçkaje” nga shtëpia botuese “Minerva” dhe përkthyer nga Erjon Uka është edhe një kontribut në gamën e botimeve shkencore në gjuhën shqipe.

Pikërisht ishte ky edhe misioni i Stephen Hawking, që ta bënte shkencën të prekshme për të gjithë. Në fund të librit, ai thotë se sfida kryesore e fizikanëve mbetet të formojnë një teori të unifikuar të gjithçkaje, që bën bashkë teoritë e pjesshme fizike. Kjo do të shënonte edhe triumfin e arsyes njerëzore: “Nëse arrijmë të zbulojmë një teori të përgjithshme, atë duhet të jenë në gjendje ta kuptojnë të gjithë, të paktën në linja të përgjithshme, dhe jo vetëm pak shkencëtarë. Pastaj do të jemi në gjendje të marrim pjesë në diskutimin se përse ekziston universi. Nëse do të gjenim përgjigjen e kësaj pyetjeje, do të ishte fitorja përfundimtare e arsyes njerëzore, sepse në këtë mënyrë do të zbulonim edhe mendimin e Zotit”, e përmbyll librin e tij “Teoria e gjithçkaje” Stephen Hawking, i cili si për ironi të fatit lindi saktësisht 300 vite pas vdekjes së Galileo Galileit dhe ndërroi jetë dy vite më parë, më 14 mars, në ditën e lindjes së Ajnshtajnit.

Marketing