Osmani, BDI dënon thyerjen e tabelave dygjuhësore

BDI nuk pajtohet me qëndrimin e kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe atë të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski se tabelat dygjuhësore në Prilep dhe komunat tjera të vendit duhet të hiqen pasi nuk ka 20% shqiptar.

Marketing

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani duke dënuar dëmtimin e tabelave dygjuhësore në Prilep, sqaron se ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh që në njësitë rajonale të institucioneve qëndrore, të cilat mbulojnë edhe të paktën një komunë ku gjuha shqipe është në përdorim zyrtar, tabelat duhet të jenë në dy gjuhë.

“Pasi Velesi e mbulon Çashkën dhe Prilepi Dollnenin ose cili do institucion që mbulon më së paku një komunë ku gjuha shqipe është zyrtare edhe në atë institucion gjuha shqipe është zyrtare. Prandaj në këtë fushatë parazgjedhore nuk duhet të përdorim gjuhën si instrument për të fituar pikë politike pasi kjo na sjell në situata të incidenteve që pastaj mund të jenë bazë për eskalimin e situatës”, u shpreh zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

Osmani poashtu theksoi se tanimë egzistojnë dy institucione serioze të formuara pas miratimit të ligjit si inspektoriati i gjuhëve dhe agjencinë për implementimin e gjuhëve dhe ata e dinë më së miri se ku duhet dhe ku nuk duhet përdorur gjuha shqipe.

Por kreu i LSDM-së Zoran Zaev në debatin televizim me oponentin e tij Hristian Mickovski tha se “atje ku janë bërë gabime tabelat dygjuhësore po hiqen, tabelat qëndrojnë vetëm ku ka 20% popullatë nga bashkësia etnike shqiptare dhe ajo është e qartë.

Ndërsa Mickovski, tha se tabelat dygjuhësore po thyhen nga qytetarët në pjesën lindore të vendit.

Ndërkohë dega e VMRO-DPMNE-së në Prilep në profilin e sajë në facebook ka publikuar një tabelë të demoluar dygjuhësore të qendrës rajonale për punë sociale.

Marketing