Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në kuadër të viztës dyditore në Bruksel, u takuan me Komisioneren e Tregtisë, Sesilija Malstrom.

Tema kryesore ishin marrëdhëniet tregtare mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe sfidat e reja në marrëdhëniet tregtare globale. Dihet se si rezultat i implementimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrëdhëniet tregtare ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së janë në nivel shumë të lartë dhe shkëmbimi tregtar i vendit është me orientim të fuqishëm kah BE-ja.

Në mbledhje u diskutua edhe për tregtinë e çelikut, dhe në këtë kontekst Osmani theksoi se ‘’Industria e çelikut paraqet një ndër shtyllat e ekonomisë sonë, dhe pasojat e mundshme nga kjo krizë për marrëdhëmiet tona dypalëshe mund të kenë ndikim edhe për zhvilllimin e përgjithshëm ekonomik të vendit’’.

Osmani dhe Bekteshi shprehën shpresën se Bashkimi Evropian do t’i ketë parasysh të gjitha këto elemente dhe, në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit masat e eventuale për mbrojtjen e ekonomisë evropiane do të jenë në përputhje edhe me nevojat e marrëdhënieve tashmë të vendosura prej dekadash mes Maqedonisë dhe BE-së.