Zëvendëskryeministri Bujar Osmani vlerëson se me konkluzionet e Këshillit të BE Maqedonia ka marrë udhërrëfyes të qartë për anëtarësim në Union. Qershori i vitit 2019 si datë, thotë ai, është termin më i volitshëm për Maqedoninë duke i pasur parasysh të dy proceset që duhet t’i zhvillojë, skriningu si përgatitje për negociatat nga njëra anë dhe referendumi, ndryshimi i kushtetutës dhe zgjedhjet presidenciale nga ana tjetër.

“E fituam atë që 17 vjet e presim – udhërrëfyes të qartë për anëtarësimin në BE, gjegjësisht përgatitjen për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019, duke e pasur parasysh se paraprin procesi i skriningut, të shohim deri ku kemi arritur. Cilido vokabular të jetë përdorur porosia është e qartë vijon përgatitje me qëllim të hapjes së negociatave me BE”, tha Osmani, në intervistën e sotme të televizionit Telma.

Nëse pyetem unë, shtoi ai, nuk do të doja datë më herët se qershori. Nuk do të ishte e mundur sepse skriningu është operacion shumë i ndërlikuar i cili nuk mund të zbatohet për disa muaj.

Në lidhje me debatin në Këshillin e BE-së në Luksemburg dhe kundërshtimin e disa vendeve të caktuara që Maqedonisë t’i ndahet data, Osmani theksoi se kjo nuk e reflekton raportin e tyre drejtë Maqedonisë dhe atë që e bën ajo, por qëndrimin e tyre rreth zgjerimit.

Maqedonia thotë ai, u kthye në rrugë. Nëse nuk arrijmë me referendum atëherë për Maqedoninë do të hapen probleme jo vetëm në qershor, por edhe më tutje në fazat e procesit.

Në lidhje me referendumin e paralajmëruar, thotë se ende nuk është e qartë se çka do të zgjidhet si çështje, por se është i bindur se do të gjendet varianti më i mirë.

“Tetëdhjetë për qind e qytetarëve dëshirojnë anëtarësim në BE dhe NATO, se pjesa më e madhe e tyre konsiderojnë se me Marrëveshje me Greqinë mbrohet identiteti i tyre kulturor dhe gjuhësor. Ne si politikë e kemi për detyrë të gjejmë mënyrë se si të ketë sukses kjo esencë”, tha zëvendëskryeministri.
Vendimi i referendumit, sipas tij do të ndikojë në të ardhmen, dhe, siç tha edhe në fatin e vendit.

Në lidhje me vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov për të mos e nënshkruar dekretin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, Osmani thotë se ai në atë mënyrë vihet mbi ligjet dhe se bën një precedent të keq. Në demokraci parlamentare, tha, fjalën e fundit duhet ta ketë Kuvendi, ndërsa jo presidenti.