Osmani-Janakakis: Greqia vazhdon të jetë lobiste aktive dhe mbështetëse e perspektivës tonë evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi takim me ambasadorin e Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dhimitris Janakakis, ku diskutuan për të gjitha aspektet e bashkëpunimit midis dy vendeve, duke përfshirë edhe mundësitë për të intensifikuar dhe thelluar marrëdhëniet bilaterale nëpërmjet formave dhe iniciativave konkrete.

Marketing

Në takim, bashkëbiseduesit i hapën gjithashtu edhe temat mbi situatën e fundit në rajon, veçanërisht në drejtim të dinamikës së perspektivës evropiane dhe euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor; si dhe për tema të tjera me interes të ndërsjellë dhe ndërkombëtar.

“Vetëm nëpërmjet intensifikimit të mëtejshëm të komunikimit të ndërsjellë, përforcimit të komunikimit politik në më shumë nivele, si dhe me më shumë angazhime dhe aktivitete, përmirësohet besimi midis fqinjëve, dhe kjo paraqet shembull të mirë për të gjithë rajonin”, tha Osmani.

Në mënyrë të ndërsjellë u theksua se Maqedonia e Veriut po përballet me një fazë të re të rëndësishme në progresin e integrimit në Bashkimin Evropian, e cila deri në fund të këtij viti pritet të rrumbullakojë me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe fillimin formal të negociatave aderuese me Unionin, ku Greqia vazhdon të jetë lobisti ynë aktiv dhe mbështetësi i perspektivës evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë (Prespa) si dhe besimin e vendosur, që gjithnjë e më shumë po fiton tipare të partneritetit dhe miqësisë afatgjate. Përmes planit aksionar, të nënshkruar midis dy Qeverive, vazhdojnë të realizohen dhe të ndërmerren aktivitete dhe forma të shumta konkrete të bashkëpunimit.

Marketing