Osmani: Maqedonia e Veriut ka ardhmëri të sigurt euro-atlantike

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në kuadër të vizitës së punës në Portugali, mbajti takim me Ministrin për Investime dhe Zhvillim Ekonomik të Republikës së Polonisë, Jezhi Kviecinjski, ku hapën temat për bashkëpunim bilateral dhe ekonomik mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen nga ana e Polonisë për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

“Vetëm para tre ditëve Kuvendi i Polonisë ratifikoi protokollin e NATO-s, ma jepni nderin që ti përcjell mirënjohjet e sinqerta të Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Polonisë, si në bilateralet, duke investuar në progresin e vendit tonë, ashtu edhe mbështetjen për integrimet tona euro- atlantike” – deklaroi Osmani, duke theksuar edhe rolin e Republikës së Polonisë në krijimin e mbështetjes në procesin e zgjerimit si në vetë Bashkimin Evropian, ashtu edhe në kuadër të vendeve të grupit të Vishegradit.

Në vazhdim të takimit Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se Qeveria jep mbështetje të fuqishme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, përmes masave që stimulojnë investime të reja për zhvillimin teknologjik dhe konkurrencë më të madhe për kompanitë në Maqedoni, ku potencoi se investitorët e huaj duke i përfshirë edhe ata të Polonisë mund të presin klimë stabile për investime në vendin tonë, si dhe mbështetje financiare dhe bashkëpunim të plotë nga ana e Qeverisë.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka ardhmëri të sigurt euro- atlantike, që krijon kushte të përshtatshme për investitorët e huaj të cilët janë të mirëseardhur për vendin”, theksoi Osmani, duke ftuar Ministrin Kviecinjski për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Më herët në kuadër të vizitës së punës disaditore në Portugali, Zëvendëskryeministri Osmani mbajti takim me Ministrin për Punë të Jashtme të Republikës së Portugalisë, Augusto Santos Silva, si dhe me Kryetaren e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Republikës së Portugalisë, Regina Bastos, kurse në agjendën e tij është edhe pjesëmarrja në mbledhjen vjetore Horasis Global (Horasis Global Meeting) që është një nga mbledhjet kryesuese botërore për biznes të liderëve politik ku këtë vit diskutimi do të fokusohen rreth temës “Katalizimi i përfitimeve nga Globalizmi”.