Osmani: Maqedonia me sukses do të realizojë agjendën 2025 të Komisionit Evropian

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, mbajti takim pune me Eurokomisionerin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han, ku brifoi për progresin e vendit në fushën e implementimit të detyrimeve nga procesi i integrimeve evropiane.

“Plani 18 tani më u miratua në Qeveri dhe implementimi i tij, tani për tani, po zhvillohet pa pengesa. Pres që në kohë të adresohen të gjitha fushat kyçe dhe të krijohen kushte për konfirmimin e vendimit për fillimin e negociatave”, deklaroi Osmani në takim, duke e theksuar progresin në implementimin e reformave në fushat kyçe, në veçanti pas zhbllokimit të Kuvendit me dritën e parë jeshile për ndryshime kushtetuese.

“Kuvendi dha dritën e parë jeshile për ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, me të cilin, jo vetëm që u hap rruga për implementimin e detyrimeve të Marrëveshjes, por edhe u krijuan kushte edhe për përshpejtimin e procesit reformues të vendit në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Evropës të qershorit”, theksoi Osmani, duke potencuar edhe progresin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë, që avancohen me një ritëm të shpejtë.

“Personalisht mora pjesë, së bashku me kolegun nga Greqia, Jorgos Katrugalos, në fluturimin e parë pas një ndërprerjeje 10-vjeçare mes Athinës dhe Shkupit, me të cilën në mënyrë simbolike dhe thelbësore afruam dy kryeqytetet më afër se një orë”, theksoi Osmani, duke potencuar pajtueshmërinë mes dy vendeve rreth iniciativës trilaterale mes Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, për zhvillim të qëndrueshëm të rajonit të Prespës, si dhe në iniciativat për partneritet strategjik me Greqinë dhe përkrahjen e tyre për integrimet evropiane të vendit.

Osmani e informoi Hanin edhe për progresin në përgatitjen e strukturës negociuese për fillimin e negociatave.
“Punojmë në mënyrë aktive në përfshirjen si të sektorit civil, ashtu edhe të komunitetit akademik në strukturën negociuese, proces që presim në mënyrë plotësuese ta përforcojë profesionalizmin negociues dhe efikasitetin e vendit”, theksoi Osmani.

Ai gjithashtu theksoi se ka progres pas gjitha trajektoreve – adresimin e Reformave Urgjente Prioritare dhe rekomandimeve lidhur me integrimet evropiane; implementimin e detyrimeve nga marrëveshjet me Bulgarinë dhe Greqinë dhe progres në marrëdhëniet ndërfqinjësore; si dhe në përgatitjen e ekipit dhe strukturës negociuese për fillimin e negociatave.

Osmani i shprehu bindjen Eurokomisionerit Han se Maqedonia me sukses do të përfshihet në Strategjinë e Komisionit për Zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me sukses do ta realizojë Agjendën 2025.

Në kuadër të vizitës në Bruksel, Osmani mbajti edhe brifing joformal me përfaqësues të Grupit Punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor (KOVEB), ku edhe prezantoi Planin 18.