Osmani: Mbrojtja e hapësirave publike dhe liria e informimit publik, është obligimi ynë

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani nuk heq dorë nga ideja për padi ndaj mediave që e kanë përmendur BDI-në në skandalin mbi 10-vjeçar me paratë e pensionistëve në Fondin Pensional, të cilin në konferencë për media e publikoi ministrja Carovska. Në një letër dërguar mediave, Osmani fillimisht ka kërkuar falje nga mediat që e kanë interpretuar deklaratën e tij si kërcënim, por megjithatë thotë se nuk heq dorë nga padia.

Marketing

Më poshtë deklarata e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani:

Mbrojtja e hapësirave publike dhe liria e informimit publik, është obligimi ynë jo vetëm si politikan që qëndrim kryesor kemi Maqedoninë Evropiane, por edhe personalisht si njerëz sistemi i vlerave të të cilëve është i ndërtuar në bazë të rregullave dhe normave perëndimore.

Por, mbrojtja e hapësirave publike nuk mund të sigurohet përmes mbrojtjes së spekulimeve dhe manipulimeve të qëllimshme, përmes mbrojtjes së gënjeshtrës dhe lajmeve të rreme, përmes mbrojtjes së atyre, qëllimi i të cilëve është diskriminimi i padrejtë, shkaktimi i dëmit të pabazë etj.

Mediat kanë të drejtë të raportojnë dhe të dyshojnë, dhe kjo asnjëherë nuk ka paraqitur problem, as artikujt e tillë nuk i konsiderojmë si qëllimkëqinjë, dhe mu për këtë arsye, pjesa më e madhe e mediave nuk kanë nevojë as të kërkojnë falje, e as që synojmë të dorëzojmë padi. Nëse deklaratën time, të dhënë si zëdhënës i partisë BDI, disa nga mediat e kanë konsideruar si kërcënim, më lejoni që publikisht të kërkoj falje dhe t’i vë për detyrë vetes që në deklaratat e mija të ardhshme të jem më i saktë.

Por, ekzistojnë politikan, përfaqësues të partive të vogla, që shprehën akuzë të drejtpërdrejtë për krime dhe vjedhje, duke mos pas as bazën më të vogël për dyshim, për një akuzë të këtillë. Kjo është e papranueshme, dhe prandaj apeloj ta kuptojnë gabimin, të pranojnë se kanë gabuar apo kanë shpejtuar, gjest që menjëherë do ta pranojmë dhe do ta përshëndesim. Në të kundërtën, me të vërtet do të detyrohemi të ngremë akuzë për të pavërtetat tendencioze.

Mesazh të njëjtë dua t’ju dërgoj edhe mediave dhe portaleve – përfaqësuesve të njohur të lajmeve të rreme, që nuk lëshuan rastin ta skandalizojnë këtë rast, që edhe ata të përhapin akuza të drejtpërdrejta, gënjeshtra të qëllimshme dhe të krijojnë lajme plotësisht të rreme pa asnjë bazë. Qëllimi ynë është që ta mbrojmë hapësirën publike, duke u lënë hapësirë t’i demantojnë të pavërtetat, të kërkojnë falje, në të kundërtën disa nga mediat gjithashtu do të duhet akuzat e tyre ti dëshmojnë në gjyq.