Osmani në Bruksel në takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani që sot ndodhet për vizitë dyditore pune në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane.

Marketing

Në kuadër të vizitës, siç kumtoi MPJ, Osmani do të takohet me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, Xhozep Borrell, si dhe me zëvendëskryetaren e Komisionit Evropian e angazhuar për demokraci dhe demografi si dhe për Konferencën për të ardhmen e Evropës, Dubravka Shuica.

Gjatë vizitës, Osmani do të takohet gjithashtu edhe me Komisarin e BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Oliver Varheji, ndërsa janë paraparë takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian dhe eurodeputetë, në mesin e të cilave edhe me nënkryetaren e Parlamentit Evropian Klara Dobrev, bashkëkryesuesin e Komitetit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë, Andreas Shider, Raportuesin për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kuçuk, si dhe eurodeputetë të tjerë me ndikim.

Agjenda e Ministrit Osmani parasheh edhe takim me Miroslav Lajçak, përfaqësues special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

Pikë kryesore e bisedimeve do të jetë dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut. Fokusi i Osmanit është që deri në fund të këtij viti, ky proces ta përjetojë përfundimin e tij të suksesshëm brenda kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, duke e miratuar kornizën e negociatave, e cila paraqet dokument kryesor në fillimin e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila shënon tradicionalisht fillimin e negociatave për secilin vend që aspiron anëtarësimin.

Ministri Osmani do t’i prezantojë përparësitë e misionit të tij mandatues, me theks të veçantë për Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe kontributin për rajonin, ku do të riafirmojë: programin e fuqishëm pro-evropian të qeverisë së re, vazhdimin e proceseve të reformës me simbolin e BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si dhe masat socio-ekonomike për të trajtuar pasojat e pandemisë.

Marketing