Osmani në SHBA në Mëngjesin e lutjeve

Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani këtë javë do të qëndrojë për vizitë disaditëshe pune në Uashington, në suaza të së cilës do të marrë pjesë edhe në Mëngjesin tradicional të lutjes në organizim të presidentit amerikan, Donald Tramp.

Marketing

Siç kumtuan nga kabineti i zëvendëskryeministrit, në suaza të vizitës, Osmani do të realizojë tkaime edhe me përfaqësues të lartë të administratës së Shtëpisë së Bardhë, mes të cilëve edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Methju Palmer, si dhe me Uilliam Berklli, drejtor për NATO dhe çështje evropiane në Këshillin nacional për siguri pranë administratës së Shtëpisë së Bardhë.

Është planifikuar vizitë edhe në Kongresin amerikan, ku Osmani do të realizojë takime me kongresistë dhe senatorë të shumtë, mes të cilëve edhe me kongresistin Stiv Stilers, i cili deri në janar të këtij viti e kreu funksionin kryetar i Komitetit nacional republikan në Kongresin e SHBA-së, më pas me kongresisten Debi Dingel, bashkë-kryesuese me Komitetin demokratik për krijim të politikave në Kongresin e SHBA-së, ndërsa vizita qendrore në Kongres do të jetë takimi me kryesuesin e ri me Komitetin për politikë të jashtme në Kongres, Eliot Engëll.

Në kuadër të vizitës, Osmani do të marrë pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët para përfaqësuesve të një nga tink-tenk organizatat më me ndikim në SHBA, temë e së cilës është bashkëpunimi i SHBA-së dhe Evropës – “Fondi gjerman i Marshallit” (German Marshal Fund), ku do të ketë fjalime në temën “Hapat e ardhshëm: Maqedonia në rrugë drejt reformave demokratike dhe anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Në agjendën e Osmanit janë edhe vizitat në institutet më të mëdha ndërkombëtare amerikane, ku do të realizojë takim me Poll MekKarti, drejtor rajonal për Evropë pranë Institutit ndërkombëtar republikan (IRI), si dhe me Sheri Brajan, nënkryetare e Instituti nacional demokratik (NDI).

Vizita e Osmanit në SHBA vjen në një nga periudhat më të rëndësishme për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të vendit, pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana e Maqedonisë dhe Greqisë, me çka u spastrua rruga për integrimin euroatlantik të vendit, qëndron në kumtesë.