Osmani në “Skopje Economic Forum”: Bashkëpunimi rajonal, çelësi i stabilitetit dhe transformimit të rajonit

Osmani i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë, Anila Denaj si dhe Ambasadorët e SHBA-ve, Gjermanisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar debatuan në temën kushtuar stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit, zhvillimin ekonomik të vendit pas pandemisë, për konkurrencën në biznes, për investimet e huaja si dhe potencialet që i ofron bashkëpunimi rajonal si parakusht i rëndësishëm për afrimin e vendeve të rajonit me BE.

Marketing

Duke folur për temën, Osmani theksoi se bashkëpunimi rajonal është një nga pesë shtyllat, prioritet i rëndësishëm i misionit të mandatit të tij si Ministër i Jashtëm. Në këtë kontekst e përmendi pjesëmarrjen proaktive të vendit në iniciativat aktuale rajonale, siç është Procesi i Berlinit, ndërsa informoi edhe për platformën “Iniciatva 8”, proces tripalësh për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriu, Shqipërisë dhe Bullgarisë, në bazë të së cilës projektet investuese përgjatë Korridorit 8 kanë për qëllim ta lidhin Detin Adriatik në Shqipëri përmes Maqedonisë së Veriut e deri në Detin e Zi në Bullgari.

Në të njëjtin kontekst, Ministri paralajmëroi edhe një iniciativë për mbajtjen e takimit jo formal të Ministrave për Punë të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të quajtur B6; kjo mbledhje duhet të shndërrohet në Forum për komunikim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejt të diplomatëve nga rajoni, siç janë forumet e ngjashme në kuadër të vendeve evropiane si C5 ose V4.

“Kur flasim për gjithë rajonin, para 20, 30 viteve, ky ishte rajon i njohur si jostabil, i ngarkuarme luftëra dhe konflikte. Sot, të gjithë me krenari mund të themi se kemi një “paradigmë” të re rajonale, kemi rajon që flet për treg të përbashkët rajonal të bazuar në katër shtyllat evropiane, treg prej 18 milion konsumatorësh, qëllimi i të cilit është heqja e pengesave që e kufizojnë lëvizjen e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve; treg që përfaqëson mundësi afariste me interes ndërkombëtar, fond për investime ose besim financiar; dhe në fund, treg që është potencial i madh për ringjalljen e rajonit dhe për përgatitjen e mëtejme të rajonit drejt integrimit të ardhshëm në tregun e përbashkët të brendshëm të BE-së”, përfundoi Osmani.

Duke debatuar për transformimin, stabilitetin dhe integrimin e rajonit, Ministri veçanërisht iu referua bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partner shumë i rëndësishëm, jo vetëm i Maqedonisë së Veriut, por edhe i rajonit.

“Si partnerë strategjik nga viti 2008, qëllimi ynë është që ta jetësojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë si aleatë të rinj. Qasja e re e administratës amerikane për revitalizimin e partneritetit transatlantik, na krijon shumë mundësi të cilat duhet t’i shfrytëzojmë për ta inkurajuar stabilitetin rajonal”, theksoi Osmani.

Organizator i “Skopje Economic Forum” është “Delphi Economic Forum” së bashku me Asociacionin grek për biznes nga Maqedonia e Veriut. Qëllimi i SkopjeEconomic Forum është të shndërrohet në takim të nivelit të lartë të liderëve më të fuqishëm politik lokal dhe ndërkombëtar dhe biznesmenë, përballë sfidave të vazhdueshme me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut, por edhe rajoni në përgjithësi.