Osmani optimist se është i mundur kompromis për ligjin për Prokurori Publike

Unë jam optimist se do të gjendet kompromis për ligjin për Prokurori Publike dhe do të sillet me konsensus midis të gjitha partive politike. Mendoj se dallimet midis partive kryesore politike prej bllokut të Maqedonisë nuk janë të patejkalueshme, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në intervistën javore të Radio Evropa e Lirë.

Marketing

Ai shton se nevojitet vullnet politik serioz dhe ulje në tryezë me qëllim që të tejkalohen këto dallime.

“Gjithçka është në kuadër të linjave të kuqe të cilat edhe BE-ja i vendos, ndërsa edhe ne si Qeveri, ndërsa ajo është se duhet pasur institucion i cili ballafaqohet me krimin e nivelit të lartë dhe se të gjitha rastet, qofshin nga përgjimet, qofshin nga përgjimet jashtë, për të cilat ka indikacione, duhet të zbardhen në një procedurë gjyqësore. Gjithçka është në kuadër të këtyre kufijve mendoj se ka hapësirë për kompromis dhe unë jam optimist se do të gjendet kompromis për ligjin për Prokurori publike dhe do të sillet konsensus midis të gjitha partive politike”, thotë Osmani.

Lidhur me rastin “Zhvatja” zëvendëskryeministri thekson se ky është test para vendimit të Këshillit të BE-së, për, siç thotë, të analizojë, në çfarë mënyre, nëse institucionet janë pjekur me reformat të cilat janë bërë gjatë periudhës së kaluar.

“Kështu që, qëndrimi im është se këtë situatë të krizës mund ta shndërrojmë në mundësi, nëse institucionet përgjigjen në mënyrë serioze dhe në mënyrë efikase, transparente dhe të paanshme e zbardhin rastin deri në fund, pavarësisht se çfarë implikimesh politike mund të ketë. Do të thotë, do ta përsëris qëndrimin se kriminelë dhe krim ka kudo. Dallimi midis shteteve qëndron atyre nëse keni institucione të cilat dinë të ballafaqohen në një rast të paanshëm”, thekson Osmani.