Osmani: Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor – garanci për stabilitet dhe prosperitet afatgjatë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi takime të ndara me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Marketing

Gjatë takimeve, në tryezë u vendosën temat për të ardhmen e rajonit e që kanë në fokus bashkëpunimin rajonal, me çka Osmani e riafirmoi mesazhin se perspektiva euroatlantike dhe integriteti i tërë rajonit mbetet përcaktim i paluhatshëm i të dy vendeve.

“Ambicia jonë e përbashkët është integrimi i plotë i të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm që njohuritë dhe përvojat tona të fituara t’i vëmë në dispozicion të miqve tanë në Kosovë. Integrimi evropian do të thotë mbi të gjitha progres institucional dhe ekonomik, por edhe më shumë, që në thelb përfshin miqësi, solidaritet dhe siguri – vlera që nënkuptojnë paqe të qëndrueshme dhe afatgjate, stabilitet, e që rrjedhimisht edhe progres të përgjithshëm si nevojë më e rëndësishme e qytetarëve tanë ”, tha Osmani.

“Pavarësisht sfidave me të cilat përballet, e në pajtim me progresin e saj demokratik dhe reformues, Maqedonia e Veriut gjatë presidencës portugeze me Këshillin e BE-së, pret mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare me BE-në, që do të shënojë edhe fillimin formal të procesit të negociatave”, shtoi ai.

“Maqedonia e Veriut është në pritje të shpejtë të formimit të Qeverisë në Bullgarinë fqinje, ku më pas do të vazhdohej me rrumbullakimin e Planit aksionar për bashkëpunim, e me këtë edhe përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mirëbesimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, porositi Osmani.

Midis tjerash, gjatë takimeve, kryesisht u diskutua për bashkëpunimin parlamentar dhe pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

 

Marketing