Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vizitën e tij të punës në Kroaci e filloi duke u takuar me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Osmani e falënderoi Plenkoviqin për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë dhe angazhimin e jashtëzakonshëm gjatë presidencës së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian, nën dirigjencën e së cilës Këshilli i BE-së arriti konsensus dhe vendosi të fillojë negociatat aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë.

“Ne Kroacinë mike e kemi një partner të sinqertë, mbështetës tradicional të aspiratave tona për integrim në familjen evropiane. Veçanërisht e vlerësojmë faktin që Kroacia gjatë gjithë periudhës së kaluar besonte fort në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një lidhje e rëndësishme në krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon”, tha Osmani.

Kryeministri Plenkoviq tha se Kroacia do të vazhdojë me mbështetjen e saj të fortë dhe të vendosur për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, zëshëm do të angazhohet në procesin e harmonizimit të kornizës negociuese dhe fillimin zyrtar të negociatave aderuese me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të këtij viti.

Gjatë ditës, ministri Osmani do të takohet me homologun e tij kroat, Goran Gërlic Radman, dhe gjatë vizitës, ai do të qëndrojë edhe në Parlamentin kroat, ku do të takohet me kryetarin e Këshillit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Gari Capelli, kryetarin e Këshillit për Çështje Evropiane, Domagoj Hajdukoviç dhe deputeten Ermina Lekaj Përljaskaj, e cila përfaqëson pakicat kombëtare të maqedonasve, shqiptarëve, malazezëve, boshnjakëve dhe sllovenëve.

Në margjinat e vizitës së tij në Kroaci, ministri Osmani pritet të jep intervistë për të përjavshmen prestigjioze kroate “Nacional”.

Artikulli paraprakArbër Ademi organizon debat publik për propozim Ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi
Artikulli tjetërKlubet e volejbollit të Universitetit të Tetovës shënuan fitore në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut