Osmani: Pres shumë shpejt të formohen institucionet me përfaqësuesit e dy bashkësive më të mëdha në shtet

Pres shumë shpejt të formohen institucionet me përfaqësuesit e dy bashkësive më të mëdha në shtet, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe sekretar i përgjithshëm i BDI-së, Bujar Osmani.

Marketing

Ne, theksoi Osmani në pjesëmarrjen në lajmet e TV Sitell, qartë treguam se duhet të kemi një biletë hyrëse që të mund të bisedojmë me partitë politike për koalicionin qeveritar për çështjet e tjera siç është çështja e kryeministrit dhe ndarja e përgjegjësive.

“Bileta hyrëse është konfirmim publik i mbështetjes për tre marrëveshjet, pasi BDI e ka vulën e tre marrëveshjeve: Të Prespës, Për marrëdhënie të mira fqinje me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Dëshiroj të bisedoj për ndarjen e përgjegjësive vetëm me ato parti të cilat do t’i pranonin tre marrëveshjet”, tha Osmani në pjesëmarrjen në lajmet në televizionin Sitell.

Duke i komentuar informacionet e publikuara për rotacion për mandatin e kryeministrit, Osmani tha se ata në partinë e tyre akoma nuk kanë biseduar për të pasur ndonjë qëndrim për këtë çështje.

“Çështjen e rotacioneve e cila ngrihet nga analistët me siguri e kanë ngritur përvojat në botë si Izraeli dhe qeveritë e tjera. Ne për këtë çështje nuk kemi biseduar në partinë tonë që të kemi qëndrim. As në partinë tonë as me parti të tjera. Prandaj më shumë i shoh si qasje analitike të varianteve të ndryshme të një ideje varësisht prej përvojave të cilat i ka bota”, tha ai.

Lidhur me atë se ku e shohin BDI-në, Osmani deklaroi se rezultatet janë të qarta dhe se partia e tyre është fitues absolut i trupit votues shqiptar ndërsa me atë shqiptarët, siç tha i dhanë legjitimitet kësaj partie për të biseduar me partitë politike maqedonase për konstituimin e Qeverisë.

“Është rregull i pashkruar tek ne qeverinë ta formojnë dy përfaqësuesit e dy bashkësive më të mëdha, me qëllim që në mënyrë institucionale të kanalizohet energjia etnike. Këtë e kemi mësuar nga përvoja dhe u dëshmua si zgjidhja më e mirë për stabilitetin politik në këtë shtet, pasi nëse nuk e kanalizoni energjinë etnike në rrugë institucionale atëherë na ndodh keqpërdorimi i kësaj energjie prej anës së tretë. Rezultatet janë të qarta. Unë pres shpejtë të formohen institucionet me përfaqësuesit e dy bashkësive më të mëdha në shtet”, theksoi Osmani.

Në pyetjen për ftesën që e ka marrë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, Osmani deklaroi se Ahmeti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit si një prej themeluesve të UÇK-së dhe se e ka pranuar ftesën.

Marketing