Osmani- Shuica: Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë paralelisht me diskutimet për të ardhmen e Unionit

Si pjesë e agjendës intensive dy ditore, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u takua me zëvendëskryetaren e Bashkimit Evropian përgjegjëse për demokraci dhe demografi, Dubravka Shuica.

Marketing

Gjatë takimit u diskutua mbi rrjedhën e përgatitjeve për Konferencën për të Ardhmen e Evropës dhe kyçjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për politikat e të rinjve dhe parandalimin e largimit të stafit të kualifikuar në vendet shumë të zhvilluara.

 

Zëvendëskryetarja Shuica e njoftoi Osmanin me planet për konferencën për të Ardhmen e Evropës, e cila është një nga projektet prioritare të Komisionit Evropian, i cili duhet të kontribuojë në zhvillimin e politikave të BE-së në plan afatmesëm dhe afatgjatë, me qëllim që tu përgjigjen më mirë sfidave me të cilat po ballafaqohet BE-ja. Kjo konferencë do të paraqesë një platformë e cila duhet t’i lidhë qytetarët evropian, shoqërinë civile dhe institucionet evropiane, në mënyrë që të ketë diskutime të përbashkëta se çfarë BE-je duan qytetarët evropianë  dhe se si të udhëhiqet ajo. Konferenca për të ardhmen e Evropës do të jetë një forum i ri për debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Bashkërisht u konkludua që politikat e zgjerimit të Unionit duhet të vazhdojnë paralelisht me diskutimet mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe reformat e saj të brendshme.

 

“Pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Konferencën për të Ardhmen e Evropës do të jetë një përfitim i ndërsjellë dhe në mënyrë plotësuese do t’i rrisë përpjekjet për ngritje të vullnetit politik mes vendeve anëtare në progresin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Osmani.

Ministri Osmani e informoi bashkëbiseduesen për agjendën aktuale të vendit drejt BE-së, si dhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës me qëllim të përmirësimit të jetës socio-ekonomike të vendit.

 

Këtij takimi i paraprinë takimet e Osmanit me Andreas Schieder, Kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, Ilhan Kuçuk, Raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian dhe Andrej Kovachev, nënkryetar i EPP-së.

Marketing