Osmani: Si parti në pushtet na përgjigjen zgjedhje sa më herët, por nuk paragjykojmë për kohën e mbajtjes

Realisht, si parti në pushtet, na përgjigjen zgjedhje sa më herët, por nuk paragjykojmë për kohën e mbajtjes. Duhet të merren parasysh të gjitha aspektet dhe kulmi eventualisht i dytë i pandemisë në shtator, e pastaj të merret vendim i duhur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, edhe pse disa dëshirojnë që kjo të ndodhë në dritaren mes dy kulmeve. Më me rëndësi për ne është që procesi zgjedhor të mos krijojë situatë që dikush të sëmuret, porositi sot zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Marketing

“Si BDI, ne tentojmë që as mos ta përmendim temën e zgjedhjeve, pasi prej në fillim njerëzit mendojnë se gjithçka ka përfunduar me masat për ballafaqim me koronavirusin dhe kështu lirohen. Ne jemi për zgjedhje në çfarëdo kohë, kur Komisioni për sëmundje infektive të prononcohet me qëndrim se zgjedhjet nuk do ta rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe kur OSBE-ja do të konfirmojë se do të ketë vëzhgues të huaj. Le të thotë Komisioni kur të kalojë rreziku”, tha Osmani në emisionin Studio e hapur të TV24.

Ai theksoi se ka qenë te Instituti për shëndet publik, ku ka biseduar me Komisionin dhe shtoi se qëndrimi i tyre është se në këtë periudhë, nëse mbahen zgjedhjet, do të duhet të respektohen masat për mbrojtje nga koronavirusi, siç është mbajtja e maskave dhe dorezave dhe respektimi i distancës.

“Ne duhet politikisht të themi nëse është në rregull të mbahen zgjedhje në kushte të tilla. Megjithatë, them se nesër në takimin e liderëve do të vendosim se çka do të bëjmë. Zgjedhje në shtator dhe tetor i përgjigjen opozitës, ndërsa për Qeverinë është më mirë të ketë në qershor ose korrik, pasi ekziston mendimi se gjatë muajve të verës, njerëzit kanë më tepër disponim të votojnë. Në gusht shkojnë në pushime dhe askush nuk do të jetë këtu që të votojë. Në qershor ose korrik mund të ketë zgjedhje”, tha Osmani.

Sipas tij, nëse nuk ka vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme pas 16 majit, ka interpretime të ndryshme për kohën e zgjedhjeve, por kjo, siç thotë, është çështje e juristëve.

“Vlerësoj se tani është shumë herët që kjo të na defokusojë”, theksoi Osmani.

Marketing