Osmani-Sijarto: Fillim i bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në pa asnjë anulim

E vlerësojmë mbështetjen parimore nga ana e Hungarisë dhe pozicionin e tyre të qartë për fillimin e negociatave midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian pa asnjë anulim”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në takimin në Budapest me homologun e tij hungarez Peter Sijarto.

Marketing

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Hungari, realizoi takim me nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

Në takim, siç kumtoi MPJ-ja është biseduar për aktualitetet e fundit në BE të lidhura me integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe temat të lidhura me bashkëpunimin e ndërsjellë, zhvillimin e raporteve bilaterale, me theks të veçantë në potencialet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Si fqinj i drejtpërdrejt i rajonit, posaçërisht e çmojmë mbështetjen parimore nga ana e Hungarisë dhe pozicionin e qartë të tyre për fillim të bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, pa asnjë anulim. Vendimet e djeshme në Bruksel dhe mossuksesi i Unionit edhe në tentimin e fundit të presidencës gjermane të formojë konsensus për kornizë negociuese, nuk janë në këtë drejtim, dhe më lejoni të konstatoj se, kjo përjetohet me zhgënjim të thellë në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

Ai e vuri theksin mbi faktin se 25 vende anëtare kanë konfirmuar gatishmërinë e vendit për fillimin e bisedimeve, si lëvdatë edhe për progresin reformues dhe për qasjen pozitive në raportet ndërfqinjësore.

“Në konkluzionet e djeshme të BE-së thuhet se vendet- kandidate duhet t’i vënë fund interpretimeve të gabueshme të historisë. Pajtohem, por vlerësoj se ‘elefanti në dhomë’ është më shumë si të pengohet interpretimi i gabueshëm i së tashmes dhe së ardhmes”, theksoi Osmani, duke iu referuar Marrëveshjes për Shpërndarje të forcave të Fronteks që qëndron i bllokuar në organet e Unionit, pikërisht për shkak kundërshtimit të Bullgarisë që të pranojë të tashmen.

Në këtë drejtim ministri potencoi se këtë sfidë Republika e Maqedonisë së Veriut e ka lëvizur përmes marrëveshjeve bilaterale me vendet anëtare të BE-së, që në mënyrë shtesë flet për autenticitetin e kursit evropian të vendit.

“Falënderim për kontributin dhe angazhimin aktiv të forcave policore hungareze, të cilët u japin ndihmë të vlefshme kolegëve të tyre nga Maqedonia e Veriut gjatë mbikëqyrjes së kufirit jugor. Në kuadër të kësaj mbështetje, deri më sot në vendin tonë me rotacion ishin 55 kontingjent, ose mbi 1500 (1.598) policë hungarezë, tha Osmani, duke shprehur mirënjohje edhe për ndihmën humanitare nga ana e Hungarisë, si pjesë të masave për ballafaqim të suksesshëm me pasojat e pandemisë me Kovid-19.

Dy ministrat iu referuan edhe raporteve të afërta tradicionale mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, të përforcuara nga marsi i këtij viti në frymën e partneritetit euroatlantik dhe aleancës.

Në takim, që nga bashkëbiseduesit u cilësua si jashtëzakonisht produktiv, përskaj temave të shumta, u nënshkruan edhe dy dokumente mes dy shteteve: njëri për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës; ndërsa i dyti për bashkëpunimin në pjesën e trajnimeve diplomatike mes dy Ministrive për Punë të Jashtme.

Gjatë kohës së takimit në Budapest, Osmani, do të realizojë takim edhe me këshilltarët për politikë të jashtme të kryeministrit hungarez, Viktor Orban- Janosh Bala dhe Janosh Mate.

Vizita në Hungari është pjesë e mini turneut të ministrit në vizitën e vendeve anëtare të BE-së pjesë të fqinjësisë së gjerë të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të turneut Osmani tashmë ka realizuar vizitë në Çeki dhe Rumuni, ndërkaq mini turneun e rajonit më të gjerë e mbaron me 21 dhjetor më vizitën e tij në Vjenë.