Osmani: Thellimi i partneritetit strategjik me SHBA, një prej prioriteteve kyçe të politikës së jashtme

Në ditën e parë të punës si ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi bisedë telefonike zyrtare me ndihmësin e sekretarit shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike të SHBA-së, Filip Riker.

Marketing

Duke ia uruar pozitën e re Osmanit, mbasadori Riker e riafirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut, të implementuar përmes partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe përmes partneritetit të sapo vendosur me NATO-n.

“Më lejoni tua përcjell respektin tonë të lartë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme me rezultate të dukshme në realizimin e progresit të përgjithshëm të vendit. Si partner strategjik SHBA-të mund të mbështeten në vendin tonë si në partner të sinqertë dhe lojal në Ballkan, veçanërisht në kuadër të kontributit tonë të sinqertë në zgjedhjen e çështjeve rajonale”, theksoi Osmani, duke potencuar se Republika e Maqedonisë së Veriut si një lloj “frontrunner” në rajon, është vend shembull për atë se si mbyllen çështjet e hapura bilaterale.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se vendi duhet të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane, veçanërisht në kuadër të fillimit të negociatave që pritet deri në fund të këtij viti.

Në fund të bisedës, Osmani e ftoi ndihmës sekretarin shtetëror që ta vizitojë vendin, gjë që me kënaqësi u pranua nga ana e ambasadorit Riker, i cili e paralajmëroi vizitën e tij në vend së shpejti.