Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media reagon në lidhje me rritjen e taksës në 100 përqind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

OVL e UÇK-së konsideron se kjo masë është e vonuar dhe Qeveria e Kosovës është dashur shumë më herët të merr masa të tilla, kur dihet se Serbia asnjëherë nuk po i respekton marrëveshjet me Kosovën dhe me politikën e saj agresive është duke e dëmtuar Kosovën edhe në planin ndërkombëtar.

“OVL e UÇK-së, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që mos të lëkundet nga presionet e mundshme për heqjen e taksës doganore dhe kërkon që me Shtetin e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës të zgjerohen masat duke aplikuar reciprocitet në të gjitha fushat”, thuhet në komunikatën e veteranëve.

Veteranët e Kosovës do të jenë përkrah Qeverisë deri në fund, dhe kërkojnë nga i gjithë spektri politik që të mos e ngatërrojnë luftën për pushtet me interesin e përgjithshëm kombëtar, dhe të jenë unik përballë politikës agresive të Serbisë, e cila po rrezikon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me veprime destruktive dhe politikën e saj agresive.