Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se procesi i lobimit për të siguruar votë që Kosova të anëtarësohet në Interpol, ka përfunduar disa ditë më herët por ka theksuar se aktualisht në Dubai janë duke përcjellur të gjitha lëvizjet e mundshme të shteteve në raport me vendimin për këtë çështje.

Në një intervistë ekskluzive nga Dubai për emisionin Info Magazine, Behgjet Pacolli tha se Kosova meriton të jetë anëtare e kësaj organizate të rëndësishme, derisa tregoi se Kosova vitin e kaluar kishte përgatitje të dobët për një ngjarje të tillë.

”Kemi punuar shumë për ta anëtarësuar Kosovën në INTERPOL. Këtu jemi duke u koordinuar, po kontrollojmë nëse kanë ardhur të gjitha delegacionet. Po i telefonojmë përfaqësuesit e të gjitha shteteve për të kuptuar përsëri për premtimet që kanë dhënë”.

”Besoj që Kosova do t’ja dal të bëhet anëtare e INTERPOL-it. Është bërë shumë punë e madhe që nga fillimi i këtij mandati. Çdo gjë iu është dedikuar kësaj çështje”.

”Në Shanghai Kosova ishte larguar si pasojë e përgatitjes jo të duhur, ndaj jemi menduar që mos të na ik ky rast dhe tani gjendemi të përgatitur. Puna për çdo gjë është shpërblyer dhe besoj që nesër puna të shkoj ashtu siç duhet dhe të korrim sukses”.

”Kosova me të vërtetë e meriton të jetë anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate”.

”Është dashur të tërhiqemi heren e kaluar sepse vet procesi zgjedhor që ka zgjat shumë kohë dhe faza e gjatë e vakumit politik ka bërë që të mos kemi përgatitjet e duhura”.
”Pam që kemi shumë mangësi ndaj këtë vit kemi tentuar të plotësojmë të gjitha ato mangësi dhe presim që me të vërtetë tani të bëhemi anëtar të kësaj organizate”.

”Prej pozites ku gjendet Skënder Hyseni, e ka lehtë të flas e të tregoj. Nuk është dëshmuar asgjë në atë që e ai. Ne kemi kalkuluar dhe nuk ka pasur më tepër se 50 vota prandaj me ato vota s’ke si të futesh”.