Padi penale kundër katër anëtarëve të KSHZ-së

Ndaj 4 anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ndaj 1 personi juridik, Prokuroria ka ngritur 5 padi penale. Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë furnizimeve publike”. Anëtarët e KSHZ-së, dyshohen se me moskryerjen e detyrave të tyre zyrtare gjatë furnizimit publik, kanë shkelur dispozitat e Ligjit për furnizime publike.

Marketing

Nga prokuroria sqarojnë se përgatitja e teknikës specifike për thirrje publike ishte bërë në konsultim me pjesëmarrës në procedurë, në kundërshtim me Ligjin për thirrje publike, me çka dy subjekteve juridike u është mundësuar që të marrin pjesë në procedurë për thirrje publike dhe për të lidhur marrëveshje për të njëjtën. Me kryerjen e këtyre veprimeve u është mundësuar subjekteve juridike që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme një vlerë prej gati 900 000 denarë dhe një vlere prej rreth 350 000 denarësh.

“Në përputhje me nenin 146 paragrafi 1 pikat 1, 2, 3 dhe 7 të Ligjit për procedurë penale, prokurori kompetent, ka dorëzuar ndërkohë në Gjykatën Themelore Penale, propozim për përcaktimin e masave parandaluese: Ndalesë për largim nga vendbanimi ose vend-qëndrimi, detyrimi i të dyshuarve për të raportuar herë pas here tek një zyrtar i caktuar ose tek një organ shtetëror, konfiskimi i përkohshëm i pasaportës ose dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror”, thonë nga Prokuroria Publike.

Të dyshuarit si anëtarë të Komisionit për Thirrje Publike si dhe drejtuesi i dyshuar dhe pronari i subjektit juridik, gjatë periudhës nga muaji shkurt deri në shtator të këtij viti, me moskryerjen e detyrave të tyre zyrtare gjatë furnizimit publik, kanë shkelur dispozitat e Ligjit për furnizime publike, me çka është vërtetuar se operatori ekonomik nuk i ka plotësuar kushtet për pjesëmarrje në procedurë, nuk ka realizuar procedurë të drejtë për evaluimin e ofertave të dorëzuara në procedurën për thirrje publike, as nuk është publikuar njoftim për anulimin e procedurës për dhënien e kontratës për Marrëveshje të thirrjes publike në afatin e parashikuar ligjor.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Zgjedhje, Oliver Derkoski i cili është një ndër të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë në deklaratë për ‘Fokus’ thotë se procedura për furnizimin e softuerit që u përdor në zgjedhjet e fundit është zbatuar në mënyrë transparente.

Përndryshe, softweri për web faqen e KSHZ-së që ishte në pronësi të kompanisë “Duna” gjatë shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 15 korrikut ishte jofunksional. Ndërkaq mediat raportonin se KSHZ procedurën e ka bërë me marrëveshje të drejtpërdrejtë por pa shpallje publike, që është në kundërshtim me ligjin.