PAGAT PËRBALLË HARXHIMEVE. Një muaj punë në Evropë, sa një ditë te ne!

Një familje katër anëtarëshe në Maqedoninë e Veriut harxhon 5862 euro në vit, apo harxhon të njëjtën shumë si evropianët për një muaj. Standardin e ulët e qytetarëve në shtet e tregojnë edhe të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto në bazë të fuqisë blerëse ku si shtet me 38 për qind nën mesataren evropiane në vitin 2018 nuk posedojmë as gjysmën e fuqisë blerëse të BE-së. Bile edhe në gjashtë vitet e fundit kemi një përmirësim të ngadalshëm të fuqisë blerëse në shtet nga 32 për qind në vitin 2012, në 38 për qind në vitin 2018 në raport me shtetet evropiane, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Në ndërkohë, analizat tregojnë se afrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor ndaj standardit të BE-së mund të arrihet vetëm me shkallë më të larta ekonomike. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se në rast se kemi përshpejtim të rritjes ekonomike prej 6 për qind në vjet, Maqedonia do të arrijë nivelin evropian të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 15 vite, me rritje prej 4.5 për qind do të nevojiten 20 vite të barazojnë standardin e qytetarëve të Maqedonisë me atë të evropianëve, ndërsa me rritje ekonomike prej 2 për qind , barazimi do të arrihet mbas 60 vitesh.

Në ndërkohë,analizat tregojnë se vendi me rritje ekonomike prej 2.7 për qind në mesatare në periudhën 1996-2917 është shumë larg potencialit të ekonomisë vendore. Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik vlerësojnë se shtetit i nevojitet rritje ekonomike prej së paku 4 deri 5 për qind për një periudhë prej së paku 5-6 vitesh që të përmirësohet dukshëm situata ekonomike. “ Në këtë drejtim kryesorja është të kemi një rritje ekonomike më dinamike për shkak se edhe sipas analizave të Bankës Botërore, nëse shtetet rajonit vazhdojnë të kenë rritje në mesatare prej 2.8 për qind do tu duhet edhe 60 vite ti afrohen standardit të qytetarëve të BE-së”, thotë akademik Taki Fiti. Sipas tij qeveria duhet të sigurojë edhe infrastrukturë bashkëkohore ekonomike, ambient të njëjtë dhe të drejtë për bizneset me qasje të barabartë ndaj furnizimeve publike dhe mos dhënie privilegje për bizneset e afërta me pushtetin.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë, thonë se përveç rritje së kapaciteteve prodhuese të orientuara në eksport nevojitet që të rritet eksporti i prodhimeve të përpunuara që sjellin më shumë para në vend të eksportit të lëndëve të para apo gjysmë prodhimeve. Sipas numrit një të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, Maqedonia si ekonomi e vogël dhe e hapur e bazuar kryesisht në kërkesën e jashtme, nuk mund të arrijë rritje më të madhe ekonomike nëse nuk ballafaqohet me rreziqet apo sfidat si nivelet e ulëta të prodhimtarisë, eksportit, si dhe nivelin e ulët të investimeve të huaja.
“Në të ardhmen mbetet sfidë të kemi një fokus më të madh që do të rrisin eksportin nga 55 për qind në mbi 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, orientimin e resurseve në industri nga ato me vlerë më të ulët në sektorë dhe prodhime me vlerë më të lartë të shtuar që do të rrisë edhe perfomancat e industrisë dhe tërë ekonomisë dhe konkurrencën në eksport”, shton Azeski.

Ndryshe, ndër 100 prodhimet që më së shumti eksportohen nga vendi ka fare pak prodhime të gatshme me fazë më të lartë të përpunimit ose prodhime për konsum final. Ndër to radhiten autobusët, barnat, këmishët dhe prodhimet e tjera të tekstilit, cigaret, ëmbëlsirat, ajvari, salsiçet etj. Analiza e eksportit të Maqedonisë në vitin 2016, tregon se nga eksporti i vlefshëm 4.3 miliardë euro, më shumë se gjysma apo 2.5 miliardë euro janë gjysmë-përpunime që parashikohen për përpunim të mëtejshëm, 1.1 miliardë euro janë prodhime për konsum të gjerë dhe 706 milion euro janë prodhime kapitale. Analiza e prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, tregon se në gishta mund të numërohen prodhimet me fazë finale të përpunimit apo që janë të dedikuar për konsum final. (koha.mk)

Marketing