Palmer: Ligjet e miratuara e afrojnë vendin më afër vendimit pozitiv të BE-së

Kryeministri Oliver Spasovski dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani gjatë qëndrimit dyditor në Bruksel, realizuan takim edhe me përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer.

Marketing

Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer gjatë bisedës shprehu urime për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, për Ligjin e Mbrojtjes, si dhe për ligjet e tjera reformuese të cilët e afrojnë Maqedoninë e Veriut më afër vendimit pozitiv të BE-së për fillimin e negociatave.

Në takim, siç bëri të ditur pres-shërbimi qeveritar, është përshëndetur përcaktimi i Qeverisë që ta respektojë dhe zbatojë Marrëveshjen e Prespës dhe përfitimet nga ajo e cila e bëri Maqedoninë e Veriut faktor të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit dhe lider në bashkëpunimin rajonal.
Në bisedën me përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer, është konfirmuar miqësia dhe partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka falënderuar SHBA për mbështetjen.

“Takim me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perendimor z. Mathew Palmer.
E falenderova për gjithçka që bën ShBA për vendin dhe rajonin dhe i fola për faktin se ne jemi garantuesi i Tre Marrëveshjeve:
– Marrëveshjes së Ohrit
– Marrëveshjes së Prespës
– Marrëveshjes me Bullgarinë”, ka shkruar Osmani në facebook.

Ndërsa Spasovski në takim i përsëriti aspiratat e vendit tonë që të ndërtojë kapacitet të fuqishëm të institucioneve që të rrumbullakohen reformat demokratike në vend, si dhe të intensifikohen projektet për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon.

Spasovski potencoi se Qeveria në periudhën e ardhshme është e përqendruar në organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, si dhe në sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Në bisedën mes Spasovskit dhe përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Palmer, ishte potencuar se Maqedonia e Veriut pret nga BE-ja që ta përmirësojë gabimin nga tetori i vitit të kaluar dhe të sjellë vendim të merituar për fillimin e negociatave në mars, dhe se këtë e presin të gjithë qytetarët sepse vendi i përmbushi kushtet dhe se tani është koha që BE-ja të ofrojë rezultate dhe të sjellë vendim të drejtë.

Marketing