Pamje: Vazhdon forma e dobët e Real Madridit, mposhtet edhe nga Tottenhami

Forma e dobët në ndeshjet parasezonale e Real Madridit ka vazhduar edhe të martën, pasi u mund 1:0 nga Tottenhami në gjysmëfinale të Audi Cup në Munih.

Marketing

Harry Kane e shënoi golin e vetëm në fitoren e Tottenhamit 1:0 kundër Real Madridit në Allianz Arena.

Sulmuesi anglez e shfrytëzoi një gabim amator të Marcelon, i cili e ktheu topin prapa në përpjekje për ta pasuar te portieri i vet, dhe shënoi në minutën e 22-të.

Edhe pse i patën disa raste shumë të mira për ta shtuar epërsinë, anglezët nuk shënuan më dhe ishin në gjendje t’i bëjnë ballë presionit të Madridit në fund të takimit për ta siguruar një vend në finalen e së mërkurës kundër fituesit të duelit tjetër gjysmëfinal mes Bayern Munich dhe Fenerbahce.

Skuadra e Zinedine Zidane nuk di për fitore në ndeshjet miqësore parasezonale, pasi është mposhtur nga Bayern Munich 3:1, ka barazuar me Arsenalin dhe është turpëruar 7:3 nga rivali i qytetit, Atletico Madridi.