Pandemia, BE paralajmëron: Në disa shtete ka situatë më të keqe se në mars

Situata e përhapjes së koronavirusit në disa shtete të Bashkimit Europian është me e keqe sesa në pikun e marsit.

Marketing

Lajmi u bë me dije nga komisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides, e cila shprehu shqetësim të madh lidhur me mënyrën se si po menaxhohet pandemia.

“Heqja e masave kufizuese në fillim të verës ka çuar në atë që e kemi paralajmëruar vazhdimisht: një rritje e rasteve me koronavirus. Në disa vende anëtare situata është më e keqe sesa gjatë pikut në mars. Kjo është vërtet arsye për t’u shqetësuar”, tha Kyriakides.

“Kjo nënkupton, që të jem shumë e qartë, është se masat e ndërmarra thjesht nuk ishin mjaftueshëm efektive ose nuk u zbatuan siç duhet. Është mjaft e qartë se kjo krizë nuk është pas nesh. Jemi në një moment vendimtar dhe të gjithë duhet të veprojnë me vendosmëri dhe të përdorin mjetet që kemi. Kjo do të thotë që të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë të gatshme të vendosin masat e kontrollit menjëherë dhe në kohën e duhur, në shenjën e parë të shpërthimeve të reja të mundshme. Ky mund të jetë shansi ynë i fundit për të parandaluar një përsëritje të pranverës së kaluar”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Franca ka vendosur të mbyllë baret dhe restorantet pas orës 22:00, ndërsa  udhëzime të reja po vendosen edhe në Gjermani. Në Mynih, mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme në qendër të qytetit, ndërsa grumbullimet janë kufizuar deri në 5 persona. Edhe Spanja po lufton valën e dytë të pandemisë dhe për këtë po përdor izolime të zonave ku ka vatra përhapjeje.

Marketing