Pandemia kthen vaksinimin 25 vjet prapa

Efektet përcjellëse të pandemisë së koronavirusit kanë ndaluar dhe kthyer prapa progresin e bërë shëndetësor në gjithë botën, duke e kthyer prap për 25 vjet dhe duke ekspozuar miliona njerëz para sëmundjeve vdekjeprurëse dhe varfërisë, theksohet në një raport të fondacionit Bill & Melinda Gates.

Marketing

Efekti ka qenë edhe më i rëndë në shumë vende ku qeveritë refuzojnë t’i respektojnë të drejtat themelore të njeriut, thuhet në një deklaratë nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Për shkak të COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, varfëria ekstreme është rritur për 7 për qind si dhe vaksinimi i zakonshëm – si një matje se si funksionon sistemi shëndetësor – ka rënë në nivele të ulëta si ato të viteve t 90-ta, thotë raporti i Fondacionit Gates.

“Është një kthim i madh prapa”, tha më 14 shtator Bill Gates, bashkëthemelues i fondacionit si dhe filantropi kryesor për zhvillimin e shëndetit global.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se vendet që nuk respektojnë të drejtat e njeriut kanë pasur shumë ngecje gjatë pandemisë së koronavirusit.

Duke folur në ditën e parë të konferencës vjetore për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë më 14 shtator, Bachelet tha se respektimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për tejkalim të krizës.

“Sëmundja COVID-19, që përbën krizë shëndetësore globale, është ndeshur me shumë kriza tjera më të ngadalshme, politike, sociale dhe ekonomike në botë”, tha Bachelet në fjalën e saj hyrëse në konferencë. “Këto thyerje të shumëfishta që na kanë bërë më të cenueshëm ndaj këtij virusi dhe që krijojnë dëme, vijnë kryesisht nga procese politike që përjashtojnë zërat e njerëzve dhe krijojnë boshllëqe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Raporti i Fondacionit Gates, që ndjek progresin e bërë nga një mekanizëm i Kombeve të Bashkuara në Synimet për Zhvillim të Qëndrueshëm për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e shëndetit, thotë se gjatë vitit të kaluar është shënuar regres në pothuajse të gjitha pikat.

Krahas rënies së imunizimit, që raporti e përshkruan si “kthimi i botës prap për 25 vjet brenda 25 javëve”, rritja e nivelit të varfërisë dhe dëmi ekonomik nga pandemia, është duke rritur pabarazinë.

Raport gjeti se pandemia kishte ndikim jo të barabartë te gratë, te minoritetet etnike dhe racore si dhe te personat që jetojnë në varfëri ekstreme.

“Pas 20 vjetësh të zvogëlimit të varfërisë ekstreme, tash kemi parë një kthim prapa”, tha Makr Suzman, shef ekzekutiv i Fondacionit Gates në një intervistë për Reuters.

“Ne tashmë kemi afërsisht 40 milionë njerëz që janë kthyer në varfëri ekstreme. Kjo i bie më shumë se një milion persona në javë, që kur u shfaq virusi”, tha ai.

Raporti citon parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar ku, pavarësisht se vendet tashmë kanë shpenzuar më shumë se 18 trilionë dollarë amerikanë për t’i ndihmuar ekonomisë, ekonomia globale do të humbë 12 trilionë dollarë amerikanë ose më shumë deri në fund të vitit 2021, ose thënë më shkurt humbjet më të mëdha të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në botë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Derisa çdo gjë duket e zymtë për momentin, Gates tha se ai është i bindur që bota do ta rimarrë veten nga pandemia dhe do t’i kthehet progresit dhe punës për ta përmirësuar shëndetin në gjithë globin./

Marketing