Papa Françesku u takua sot, në orën 17.00, në Sallën Klementine, në Vatikan, me një delegacion prej 200 shqiptarësh, ardhur në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Hero i Kombit shqiptar.

Në delegacion bënin pjesë kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani; Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi; kreu i Bashkësisë myslimane, Skënder Bruçaj, kreu i Bashkësisë së Bektashive të botës, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, organizatore e takimit; kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë Durrësi; Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës Shkodër-Pult; ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli; ipeshkvi i Dioqezës arbëreshe të Ungros, në Kalabri, imzot Oliverio Donato, ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve në Sicili (dioqezë arbëreshe), imzot Giorgio Demetrio Gallaro dhe një grup i madh artistësh shqiptarë, që sonte dha një koncert në Teatrin Argjentina, në Romë.

Gjergj Kastrioti, siç dihet, ishte mbrojtës i lirisë së popullit të vet dhe i mbarë krishterimit në Evropë, gjatë periudhës së Perandorisë Otomane e pati marrëdhënie me pesë Papë: Eugjenin IV, Nikollën V, Kalistin III, Piun II dhe Palin II. E dëshmon këtë afresku me portretin e Heroit, që ruhet akoma në fasadën e një pallati pranë Qurinales, dikur seli papnore.

Në takim dalloheshin kostumet arbëreshe e ato të veriut shqiptar, veladonët e ipeshkvijve, kapela e kuqe e kardinalit, veshjet për festë të besimtarëve, ndonjë fytyrë kureshtare e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, artistët me origjinë shqiptare, që njihen tashmë, në të gjithë botën.