Kryeministri Zoran Zaev, disa orë para takimit të paraparë me Hristijan Mickoskin e VMRO DPMNE-së bën thirrje për mirëkupim dhe paqe kombëtare. Në videoincizim e publikuar nga Qeveria, Zaev thotë se urrejtja shkakton vetëm ndarje.

“Dita e sotme e faljes dhe pajtimit është shans për të bërë hap para, dhe për të thyer këtë fortesë e cila qëndron para ardhmërisë sonë të përbashkët. Sot nxisim veten që të shkojmë drejt rrugës së bashkimit dhe kuptimit të ndërsjellë, në interes të të gjithë qytetarëve. Kemi shtrirë dorën e pajtimit me fqinjët tanë. Le të shtrijmë dorën e pajtimit edhe në shtëpi, si një vlerë e cila është karakteristikë e kombeve dhe popujve të mëdha. Le ta bëjmë këtë hap prej të gjithëve neve, për të gjithë neve”

Zaev ka bërë thirrje edhe që të lihet e kaluara prapa.

“T’i lëmë pas politikat e ndarjes dhe shkaktimit të konflikteve, të cilat i ndanë njerëzit në ‘tanët’ dhe ‘tuajt’. Të tentojmë që të gjithë që të bisedojmë me ata që janë ndryshe prej neve. Të bisedojmë me të tjerët. Të dëgjojmë çfarë kanë për të thënë bashkëbiseduesit tanë, dhe të tentojmë t’i kuptojmë qëndrimet e tyre, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vetëm një shoqëri e pajtuar të cilën e bashkon shumëllojshmëria, do sjell shtet me prosperitet dhe stabilitet. Një Maqedoni të tillë të Veriut, në një shoqëri për të gjithë, besojnë shumica e qytetarëve. Nëse e pranojmë përgjegjësinë për të ardhmen tonë, për ardhmërinë e shtetit tonë të përbashkët, meritat do të na takojnë të gjithë neve”.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ti tejkalojnë dallimet dhe problemet dhe të falin njëri tjetrin,në mënyrë që t’u vazhdojë jeta para dhe të ndërtojnë ardhmëri të shëndoshë.