Para takimit me Thaçin, Kurti i bën ofertë LDK-së dhe publikon emrat e ministrave të tij

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të takohet sot me presidentin e Kosovës. Ndërsa VV dhe LDK nuk kanë arritur marrëveshje finale për krijimin e koalicionit qeverisës, Albin Kurti ka dalë me një video-mesazh.

Marketing

Ai kërkon nga partneri negociues për qeverinë – Lidhja Demokratike e Kosovës që të bëjnë marrëveshjen sa më shpejt, teksa i ka bërë publike edhe propozimet e tij për ministra.

Kurti ka kërkuar që Isa Mustafa t’i propozojë pesë emra, ndërsa ka konfirmuar se do të shkojë në takim me Hashim Thaçin pa pasur marrëveshje me LDK-në.

“Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me presidentin e shtetit. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë të m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, tha Kurti.

Lideri i LV-së ka bërë thirrje që të fillohet puna për krijimin e qeverisë.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat jo serbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave”, tha ai.

Marketing