Paralajmërohet rritje e re e pagës minimale, biznesi i rezervuar

Qeveria mbetet në idenë për të rritur ende pagën minimale këtë vit, pasi ajo është rritur tashmë në 12 mijë denarë para një viti e gjysëm. Hollësi për atë se sa do të ishte rritja ende nuk ka. Kjo do të dihet pas analizave dhe konsultimeve të Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave me punëdhënësit dhe me klasterin e tekstilit dhe lëkurës. Siç paralajmëruan nga Qeveria, do të mbahet llogari të mos dëmtohen kompanitë dhe të mos sillet në pyetje qëndrueshmëria e tyre. Biznesi vlerëson se për momentin me rritjen e re eventuale më e madhe nga ajo që do të arrihej me dakordim, paga minimale do të arrijë 50 për qind më shumë nga paga mesatare në Republikë dhe se vlerë aq e lartë e pagës minimale në krahasim me pagën mesatare mund të shkaktoj demotivim për hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa edhe ulje të vendeve aktuale të punës. Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, megjithatë, ka hapësirë për rritjen e pagës minimale, e cila për momentin arrin 12.165 denarë. Llogaritjet e Sindikatës tregojnë se ka nevojë për rritje të pagës minimale të paktën për 12 për qind.

Marketing

Mundësinë për rritjen e pagës minimale në fillim të vitit e paralajmëruan nga Qeveria, ndërsa siç informuan në konferencë për media, në shkurt të këtij vitit Zoran Zaevi tha se ideja e Qeverisë me orientim majtist është të ketë shpërndarje të barabartë të produktivitetit dhe të ardhurave mes kapital-faktorit dhe punëtorëve.
“Shteti ka për qëllim me rritje graduale të pagës minimale të arrij efekt të përgjithshëm të rritjes së pagave në vend, përmes hapjes së spirales të pagave, por me këtë të mos i dëmtojë bizneset, gjegjësisht qëndrueshmërinë e tyre”, thotë Zaevi.

Paralajmëroi se sikur gjatë rritjes paraprake, shteti do të sigurojë mbështetje financiare për kompanitë mbulim të pjesshëm të rritjes të pagës minimale, por edhe pagat e tjera.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se rritja e pagës minimale është në suaza të Programit për punë të Qeverisë dhe se duhet të sigurojë përmbushjen e nevojave themelore jetësore si dhe interesin e personave të papunë të cilët janë me kualifikime të ulëta të pranojnë punë me pagë që është më dinjitoze.

“Gjithnjë e më shpesh edhe personat e papunë, ndërsa edhe punëtorët janë të pakënaqur nga lartësia e pagës minimale dhe është arsye pse kërkojnë të largohen nga vendi. Tani për tani paga minimale do të harmonizohet në pajtueshmëri me Ligjin për pagë minimale, gjegjësisht parametrat në pajtim me të cilat duhet të harmonizohet do të dihen gjatë marsit, ndërsa zbatimi do të fillojë me pagën e prillit. Pastaj mund të qasemi drejtë dialogut për rritjen e saj”, thonë prej Ministrisë.
Sipas MPPS, rritja mund të realizohet me proces konsultues paraprak me punëdhënësit dhe sindikatat. Kur të arrihet dakordim me ato mund t’i qasemi ndryshimit të Ligjit për pagën minimale. Ky proces, sipas vlerësimeve të Ministrisë, mund të ndodh në gjysmën e dytë të vitit.

Banka Botërore doli me qëndrim se edhe një rritje e pagës minimale do të pasqyrohet negativisht në veprimtaritë e punës intensive. Procesi i tillë, thonë prej atje, duhet të zhvillohet paralelisht me rritjen e produktivitetit.

Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, vlerëson se pas rritjes së mëparshme dhe nëse realizohet rritja e paralajmëruar e re, nuk do të ketë dallim të madh midis pagave të ulëtave dhe të lartave, pasi që pas rritjes së parë pagat më të larta nuk janë rritur gjë që do të çonte në demotivimin e punëtorëve të mirë, që mund të rrezikojë krijimin e vendeve të reja të punës ose ndikojnë negativisht në punësim.
Për dallim nga punëdhënësit, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vlerësojnë se ka hapësirë të rritet paga minimale, e cila aktualisht arrin 12.165 denarë. Llogaritjet e sindikatës tregojnë se ka nevojë për rritjen e pagës minimale për rreth 12 për qind.

“LSM tregon se në kushte kur shporta minimale sindikale për janarin arrin 32.761.000 denarë, ndërsa vetëm shpenzimet për ushqim arrin 13.621,33 denarë, ekziston nevoja reale për rritjen e pagës minimale, e cila në pajtim me rekomandimet dhe tendencat evropiane duhet të arrijë 60 për qind nga paga mesatare në vend”, thonë nga LSM.

Nga LSM paralajmërojnë se janë të gatshëm për fillimin e dialogut sociale lidhur me këtë rritje të propozuar të pagës minimale, e cila do të jetë bazë për rritjen e pagave të gjithë të punësuarve. Ligji për pagën minimale u miratua me nismën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.(koha.mk)