Paralajmëron Mogherini: Nëse Ballkani Perëndimor nuk hyn në BE do të pendohemi keq

Shefja në largim e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se nëse Ballkani Perëndimor nuk hyn në BE, kjo e fundit do të pendohet

Marketing

Mediat nga Brukseli shkruajnë se ajo tha që Ballkani duhet të jetë në interes të BE-së.

“Jam e bindur, se nëse nuk e bëjmë këtë, do të pendohemi vetëm pas disa vjetëve”, ka thënë Frederica Mogherini.

Në adresimin e saj në konferencën vjetore të ambasadorëve të BE-së në Bruksel, ajo ka vlerësuar se hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është çështja e bashkimit të sërishëm të gjithë kontinentit evropian dhe se kjo është e nevojshme si për Ballkanin ashtu edhe për BE.

“Kemi interes të qartë të fusim gjithë Ballkanin në BE. Të gjithë e dimë se ky është proces i gjatë, i komplikuar dhe gjithmonë interesant i cili do të kërkojë mjaftë kohë, zgjidhje të problemeve dhe shumë përkushtime politike nga të gjitha anët dhe vendosmëri”, ka thënë Mogherini.

Ajo ka theksuar shembullin e zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë Veriore, duke vlerësuar se kjo është arritur me angazhim të Athinës dhe Shkupit me përkrahje konstante dhe inkurajim të BE.

“Njësoj vlen për gjithë Ballkanin. Do të na nevojitet guxim, liderizëm dhe këmbëngulje, si dhe që atje të mbajmë prani konstante dhe të fuqishme, që do të thotë në mënyrë të përditshme”, ka theksuar Përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të jashtme dhe siguri.

Marketing