“Partiçkat” aktivizohen për hatër të “vëllait” të madh

Një nga fenomenet më të çuditshme të pluralizmit, është kur një parti e madhe bën koalicion me shumë parti të vogla. Këtë e kanë bërë shpesh të dy partitë kryesore maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE, duke mbledhur nga çdo bashkësi etnike njërën prej partive të tyre dhe parti të tjera të vogla, të cilat nuk i kanë votuar as familjet ose lagjja ku jetojnë liderët e tyre. Ndërsa, partitë shqiptare e kanë bërë shumë rrallë, ose fshehurazi në situata të caktuara, thonë për gazetën KOHA, njohës të zhvillimeve politike në vend.

Marketing

“Në të shumtën e rasteve, partitë e tilla ndaras nuk mund të fitojnë as një deputet dhe të duket e palogjikshme, por, siç thotë populli, pika-pika, bëhet pusi dhe nga këso grupesh minore zgjedhore, del ndonjë përfitim në fund, sepse siç e kemi parë në zgjedhjet e fundit parlamentare, një deputet këndej ose andej, di të jetë vendimtar për fitore apo për mandatin e ardhshëm. Partitë e mëdha këtë e bëjnë ndonjëherë edhe për shkak të imazhit, që të dëshmojnë se i përfaqësojnë shtresat më të gjera qytetare, sidomos në aspektin etnik. Realisht, interesi është i ndërsjellë, bile shans i vetëm i partive të vogla, sepse me koalicionime të këtilla, liderët e tyre sigurojnë ndonjë pozicion të mirë a punësim, por edhe karrierë politike dhe mbijetesë”, thotë për KOHA, Daut Dauti, analist. Sipas tij, në situata të caktuara, ka pasur mjaft ndikim edhe mospërfshirja e ndonjë force të këtillë të vogël, sepse ka shkëputur ndonjë pjesë të mirë të votuesve (forca politike e Lubço Georgievski, bie fjala, apo Lube Boshkovskit).

“Përderisa për partitë e mëdha është një matematikë e kalkuluar për të siguruar ndonjë numër më tepër deputetësh, për partitë e vogla është çështje ekzistenciale, duke e ditur se vetë s’mund të bëjnë asgjë. Kështu deri tash kanë mbijetuar si forca politike minore ajo e Stevçe Jakimovskit, Pavle Trajanovit, apo Liljana Popovskës dhe të ngjashme, të cilat sigurisht se vetë nuk mund të sigurojnë asnjë deputet. Duhet thënë se këso strategjish do t’u ndihmonin mjaft edhe partive shqiptare, të cilave aspak nuk do t’u pengonin në Platformën e deklaruar kombëtare nëse në koalicione do të përfshinin parti të turqve, boshnjakëve apo romëve, sepse këto bashkësi janë në mjedise ku jetojnë edhe shqiptarët dhe ku ndikimi në rezultat mund të jetë i dukshëm. Ndoshta partitë shqiptare i ikin kësaj, sa për shkak të imazhit ‘kombëtar’, aq edhe për të mos u cenuar interesat tjera konkrete, siç janë punësimet, funksionet etj.”, thekson Dauti.

Ndërkaq, gazetarja Dijana Toska thotë se është absurde për një shtet që të jetë aktiv një subjekt politik i cili nuk ka adresë apo seli, e nga ana tjetër paraqitet si partner koalicioni në zgjedhje me një parti më të madhe politike.

“Në një shtet ligjor nuk mund të ndodhë që një subjekt juridik të mos ketë adresë apo seli, prandaj subjektet e tilla joserioze duhet trajtuar në këtë frymë, të krijuara ad hok për ndonjë interes të vogël personal, për interes të dikujt për të futur huti në opinion apo përçarje.Prandaj, këto parti të vogla më shumë ju ngjajnë klaneve mafioze dhe ju shërbejnë ‘bosave’ të partive më të mëdha politike për ta zgjatur ekzistencën e tyre në pushtet. Ne si komb nuk e kemi luksin e copëzimit dhe shpërndarjes së votës, por është koha që të jemi më afër njëri-tjetrit dhe më unik kur bëhet fjalë për interesat tona kombëtare”, deklaroi për KOHA, Dijana Toska.

Sikundër dihet, nga vendosja e sistemit parlamentar në Maqedoni e këndej, në skenën politike janë paraqitur disa parti të vogla, të cilat kanë qenë “dorë e zgjatur” e partive të mëdha, si në kampin politik shqiptar ashtu edhe në atë maqedonas. Disa prej tyre kanë rezistuar të mbeten në skenën politike për shkak të afërsive me partitë në pushtet e disa prej tyre kanë pushuar se ekzistuari apo janë aktivizuar vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve. Së fundmi, është paralajmëruar se skenës politike shqiptare në Maqedoni do ti shtohen edhe dy parti të reja, por që deri tani kanë mbetur vetëm në tentativë formimi.

Nga ana tjetër, nuk dihet fati i partive tjera të vogla që herë pas herë janë paraqitur në zgjedhje në emër të ndonjë koalicioni me partitë më të mëdha. Të gjitha këto nuk kanë asnjë gjurmë se ekzistojnë, nuk kanë as ueb faqe, por disa prej tyre as seli partiake edhe pse në Regjistrin qendror të partive politike ekzistojnë si parti aktive. Gazeta KOHA mëson se Alternativa Kombëtare (AK), partia e themeluar nga ish komandanti i UÇK-së, Harun Aliu-Kushtrimi, ende është aktive, por se ka pasur tendenca që të shfrytëzohet brendi i kësaj partie nga ana e Lëvizjes BESA, krahu i Afrim Gashit në rast se gjykata nuk ua njeh të drejtën që të udhëheqin në mënyrë zyrtare me Lëvizjen BESA.

Kështu që, Afrim Gashi dhe grupi i tij politik kanë tentuar të riaktivizojnë AK-në, por sipas informacioneve tona, një gjë e tillë nuk është lejuar nga ish bashkëluftëtarët e komandat Kushtrimit, të cilët kanë thënë se ideali dhe koncepti politik i AK-së bazohet në frymën e veprimtarisë patriotike të këtij komandanti. (koha.mk)

Marketing