Partitë ashpërsojnë retorikën rreth Ligjit për Prokurorinë

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut ende pa një marrëveshje lidhur me përmbajtjen e propozim-ligjit për Prokurorinë Publike ndërkohë që deri në shpërndarjen e Kuvendit ka mbetur edhe një javë.

Marketing

Ministrja e Drejtësisë, Renata Desoska i kishte dhënë partive afat që deri të dielën të parashtrojnë amendamentet me vërejtjet e tyre që i kanë paraqitur edhe në debatin publik, por këtë ende nuk e ka bërë partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO DPMNE.

Përmes një letre, ministrja Deskoska ka thënë se “tani është momenti që opozita të dëshmojë nëse është e gatshme që interesat e shtetit dhe të integrimit evropian t’i vendos para interesave personale dhe të kriminelëve nga radhët e tyre”.

Por, nga VMRO DPMNE-ja mbeten në qëndrimin se përmbajtja e ligjit nuk ka për qëllim forcimin dhe pavarësimin e gjyqësorit, por vendosjen e tij në shërbim të pushtetit apo siç thotë “amnistimin e Zoran Zaevit dhe të bashkëpunëtorëve të tij”.

“Në njërën anë kemi Renata Deskoskën dhe në anën tjetër të gjithë të tjerët, ekspertët, profesorët e Fakultetit Juridik dhe të gjithë ata që në njëfarë mënyre janë të lidhur me këtë ligj. Të gjithë ata kanë vërejtjet thuajse të njëjta me ato të opozitës”, ka deklaruar Igor Janjushev sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.

Nga kjo parti kanë thënë se nuk do të mbështesin zgjidhjen e propozuar ndërsa mbeten në kërkesën e mospërfshirjes në zgjidhjen e re ligjore të lëndëve të ish-Prokurorisë Speciale si dhe mundësinë që prokurorja aktuale e krimit të organizuar, Villma Ruskoska të drejtojë edhe prokurorinë e re, meqë të njëjtën e konsiderojnë si “dorë të zgjatur të pushtetit për të ndjekur të gjithë kundërshtarët politik”.

VMRO-ja, gjithashtu vlerëson se pushteti qëllimisht nuk do të miratojë ligjin për ta shfrytëzuar gjatë fushatës për të sulmuar opozitën.

Përkundër kësaj, Lidhja Social-Demokrate beson se partitë në pushtet do të arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme dhe të miratojnë ligjin e prokurorisë.

“Unë jam optimist, unë janë thellë i bindur se pa marrë parasysh sjelljen e opozitës se Ligji i prokurorisë do të miratohet dhe se me këtë nuk do të bllokohet e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Damjan Mançevski nga Lidhja Social Demokrate.

Nga opozita shqiptare kanë parashtruar tetë amendamente e që kryesisht kanë të bëjnë me kërkesën për pavarësi më të madhe në punën e prokurorëve me qëllim eliminimin e ndikimeve politike në punën e tyre.

Propozim-ligji mbështetet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por kjo parti tani kanë dalë me një propozim-ligj tjetër, atë të vettingut, që sipas saj do të zgjidhte shumë çështje që kanë të bëjnë me punën e drejtuesve të institucioneve.

Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike është kërkuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar. Ambasadorja e SHBA-së, Kate Byrnes, ka thënë se miratimi i këtij ligji do të ishte një dëshmi e mirë se institucionet janë të përkushtuara për sundim të ligjit, procedimin e lëndëve gjyqësore të ish-Prokurorisë Speciale dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nevoja për miratimin e këtij ligji erdhi në veçanti pas shuarjes së Prokurorisë Speciale drejtuesit e së cilës u përfshinë në rastin “Reketi” të zhvatjes së 1.5 milion eurove nga biznesmeni, Orce Kamçev të cilit i kishte premtuar masa lehtësuese gjyqësore në një proces penal që po zhvillohej kundër tij.

Marketing