Partitë janë dakorduar për ligjin e financimit të partive politike, “mollë sherri” mbetet referendumi dhe KSHZ-ja

Takimin e radhës të liderëve partiak për të biseduar rreth referendumit dhe pikave të tjera aktuale, kryeministri Zoran Zaev e ka caktuar për të hënën në ora 9 paradite.

Marketing

Ftesa u janë dërguar edhe liderëve të partive të tjera të cilët morën pjesë në takimin e së enjtes i cili përfundoi pa epilog.

Në këtë takim tema qendrore do të jenë formimi i KSHZ-së, pyetja e referendumit, data e mbajtjes së referendumit, por edhe kushtet që ka vendosur VMRO-DPMNE siç janë ligji për finansimin e partive politike, ndryshimet në ligjin për Qeveri dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Konkretisht VMRO-DPMNE kërkon formimin e një qeverie teknike sipas modelit të përcaktuar gjatë bisedimeve në Përzhino.

Në takimin e së enjtes zyrtarisht asnjëri nga pjesmarësit nuk dha hollësi se deri ku kanë arritur bisedimet, por vetëm thanë se për disa pika kanë qëndme të përafërta, ndërsa për të tjera marrëveshja ende duket shumë e largët.

Por, burime partiake liferuan se pika për të cilën partitë kanë arritur pajtim dhe e njëjta është tejkaluar në takimin e fundit është Ligji për Financimin e Partive Politike. Konkretisht për këtë pikë katër liderët janë dakorduar që partitë politike të financohen nga buxheti shtetëror.

Kjo është arsyetuar me luftën kundër krimit dhe korupsionit zgjedhor dhe parandalimin e mundësisë së ndikimit të klaneve biznesore në politikë. Ndërkohë disa media në gjuhën maqedonase kanë njoftuar se në takimin e fundit kryeministri Zoran Zaev, i ka ofruar kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski tre poste ministrore, ndërsa si kompenzim Mickovski të thërret publikisht anëtarët dhe votuesit e partisë së tij të mbështesin referendumin dhe të votojnë pozitivisht. Nga VMRO-DPMNE as se kanë konfirmuar, as se kanë pohuar këtë informatë.

“As nuk do të konfirmoja, as nuk do të mohoj konstatime të tilla dhe nuk do të shpalos detaje derisa nuk përfundon takimi i liderëve siç është paraparë”, thotë Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

As nga LSDM nuk ka përgjigje konkrete për informacionet e këtilla, por kohë më parë vetë kryeministri Zoran Zaev la të hapur mundësinë e ndarjes së kulaçit qeveritar me VMRO-në nëse këta të fundit sigurojnë referendum të suksesshëm.

Duke komentuar kërkesën për Qeveri teknike sipas modelit të Përzhinos, Zaev tha se ligji parasheh vetëm kryeministër teknik, ndërsa ministrat dhe zëvendës ministrat plotësues dy vite më parë erdhën pasi LSDM hoqi dorë nga publikimi i të ashtuquajturave bomba. Tani për t’i ofruar të njëjtën VMRO-së, Zaev tha se është i gatshëm të bisedojë nëse Hristian Mickovski bën lëshim dhe mbështet referendumin dhe procesin integrues të vendit.

Marketing