Partitë politike komentojnë tërheqjen e Memedit nga pushteti

Kuvendi pritet të konstatojë dorëheqjen e deputetit Vesel Memedi në seancën e radhës edhe pse akoma nuk dihet se kur do të caktohet ose kur do të realizohet ajo. Partitë politike gjatë ditës kanë komentuar dorëheqjen e Memedit nga funksioni i deputetit dhe largimin nga pushteti. Pasi u bë e ditur se në listën e kandidatëve për deputetë pas Memedit është Arta Toçi, kuadër i Aleancës për Shqiptarët, kreu i kësaj partie Ziadin Sela thotë se me këtë po rregullohet një padrejtësi të bërë pas zgjedhjeve ndaj subjektit të tij.

Marketing

Partisë tonë postin e deputetit ja ka dhënë populli me votë në vitin 2016 dhe ne nuk kemi si t’i ikim verdiktit të shprehur nga ana e popullit. Veprimin e Vesel Memedit unë nuk kam pse e komentoj. Mandati i tij ishte mandat i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” dhe në njëfarë forme po rregullohet një padrejtësi e bërë me vetë faktin që ja ktheu shpinën këtij koalicioni”-tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Memedi, për shkak të largimit të ministrit të tij nga Vetëqeverisja Lokale, njoftoi edhe dorëheqjen e të gjithë drejtorëve nga drejtoritë të cilët i kanë takuar gjatë ndarjes së pushtetit. LSDM-ja e konsideron si e drejtë e vetë subjektit politik për të vendosur nëse dëshiron të vazhdojë me aktivitetet e pushtetit për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe proceset e integrimit.

Ndryshimet që i filluam janë pikërisht në këtë drejtim, marrim përgjegjësi para qytetarëve që përparimi i vendit dhe prosperiteti ekonomik të vazhdojnë edhe më shumë. Gjithmonë ekziston mundësi për zhvillimin e bashkëpunimit, por, nëse ndonjëra nga partitë politike në kuadër të shumicës nuk e gjen veten në këtë koncept ose shpreh qëllimet që të mos jetë pjesë e tij e interpretojmë kryekëput si e drejtë e atij subjekti politik”, thonë nga LSDM-ja.

Nga BDI-ja, dorëheqjen e Memedit e konsiderojnë si hap të shpejtuar dhe shpresojnë që të rishqyrtojë vendimin.

Dorëheqjen e Vesel Memedit e konsideroi si një hap të përshpejtuar ndërsa deklarata e dhënë dje nuk qëndron sepse BDI-ja dhe LSDM-ja nuk kanë pasur asnjë marrëveshje të drejtpërdrejtë në lidhje me postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Shpresoj që Vesel Memedi do ta rishqyrtojë pozitën e tij dhe do të bëjë një vlerësim të duhur të bëhet pjesë e vazhdueshme e reformave që I kemi ndërmarrë dhe bashkërisht ta përfundojmë këtë mandat”-pohoi Artan Grubi, BDI.

Grubi shtoi se në këtë konstekt, Memedit i është ofruar edhe një post ministri pa resor. Kreu i RDK-së Vesel Memedi një ditë më parë shprehu revoltë ndaj vendimit të kryeministrit që në vend të Suhejl Fazliut në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale të emërohet Goran Milevski.

Marketing