Partitë politike në pushtet ende nuk kanë qëndrim të qartë se cila do të jetë pyetja që do të parashtrohet në referendumin e caktuar për në vjeshtë lidhur me marrëveshjen për emrin me Greqinë.

Nga LSDM-ja thonë se gjitha opsionet janë të mundshme dhe se pyetja mund të jetë negative për të nxitur daljen sa më të madhe të qytetarëve apo arritjen e pragut prej 50 për qind, në kuptimin “A jeni kundër marrëveshjes me Greqinë…”.

Në këtë rast, kundërshtarët e marrëveshjes do të dilnin në numër të madh në referendum. Por, sipas partive në pushtet, gjithçka do të dihet pas samitit të NATO-së në të cilin Maqedonia pret marrjen e ftesës për anëtarësim ndërsa referendumin e vlerësojnë si çështjen më madhore të procesit duke e krahasuar madje me referendumin për pavarësinë e shtetit.

“Mendoj se ky referendum me shumëçka i ngjanë atij për pavarësinë e Maqedonisë. Qytetarët e kanë fuqinë që të sjellin vendimin final dhe jam e bindur se ashtu sikur edhe në vitet e 90-ta, edhe tani do të kenë guximin që të marrin vendimin e duhur. Qytetarët e kanë parë se çfarë do të thotë të jetosh në izolim dhe në pa perspektivë”.

“Bota rreth nesh ka ndryshuar, fqinjët tanë kanë ecur përpara ndërsa ne kemi ngelur të ngujuar këtu ku jemi. Besoj se këtë askush nuk e dëshiron andaj edhe jam e bindur se qytetarët do t’i thonë po të ardhmes sonë, po Maqedonisë Evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Radmilla Sheqerinska zëvendëskryeministre dhe ministre e mbrojtjes duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se me këtë marrëveshje rrezikohet identiteti kombëtar maqedonas, gjuha dhe kultura maqedonase andaj edhe nuk do të mbështetin marrëveshjen, shkruan rel.

“Kjo marrëveshje çimenton identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase, të drejtën tonë që të jemi maqedonas dhe kjo jo vetëm që na e jep këtë të drejtë, por me këtë marrëveshje maqedonishtja do të jetë edhe gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian pas anëtarësimit të vendit tonë në këtë organizatë”, thotë Sheqerinska.

Nga opozita maqedonase nuk shpalojnë strategjinë e tyre të veprimit, por thonë se referendumi duhet të jetë i obligueshëm dhe se pushteti nuk duhet të taktizojë me pyetjen që do të parashtrohet pasi kjo mund të irritoj qytetarët , të cilët sipas VMRO-së janë të ndjeshme kur bëhet fjalë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“Qëndrimi i VMRO DPMNE-së është i qartë. Gjithçka që ka të bëjë me referendumin duhet të jetë e obligueshme, përkatësisht i detyrueshëm. Duke marrë parasysh qëndrimet e ndryshme që japin partitë në pushtet, se do të jetë kështu apo ashtu, se pyetja mund të jetë edhe negative për të nxitur qytetarët të dalin në referendum për të siguruar pragun prej mbi 50 për qind, ne ende nuk do të shpalojnë qëndrimet tona përfundimtare përveç asaj se referendumi duhet të jetë vendimtar”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski.

Ndërkohë, një çështje tjetër që ka nisur të diskutohet në opinion është edhe ajo se çka fitojnë dhe çka humbin shqiptarët në referendum. Sipas marrëveshjen në dokumentet personale të gjithë shtetasit do të evidentohen si maqedonas të Maqedonisë së Veriut, pra përfshirë këtu edhe shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike. Partitë politike shqiptare deri më tani nuk e kanë kontestuar këtë marrëveshje duke theksuar se kjo është kompromis për ti bindur maqedonas se identiteti i tyre nuk rrezikohet,

“Problemi i kontestit të emrit me Greqinë nuk është problem i shqiptarëve. Ai është problem me komunitetin maqedonas. Pra, pjesë e kontestit nuk ka qenë çështja e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe mendoj se me këtë marrëveshje gjërat janë definuar dhe kanë rënë në vendin e duhur. Shqiptarët janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Por, opozita shqiptare ka paralajmëruar se pas referendumit, apo në fazën e ndryshimeve kushtetuese do të ngrit çështjet etnike.

Aladajdin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se referendumi duhet të mbështetet nga shqiptarët pasi ata sipas tij nuk humbin asgjë pasi më këtë vetëm se ndryshohet emri i shtetit, por ai tërheq vërejtjen se partitë duhet të koordinohen mirë që më pas të hartojnë kërkesa nëse vlerësojnë se duhet të bërë për avancimin e statusit juridik në shtet.

“Kërkesat politike duhet të formësohen, ndoshta duhet të formësohen edhe për referendumin, por në referendum ne do të dalim si shqiptar mirëpo do të kemi disa kërkesa, të ruhet identiteti shqiptar, të bëhem ndryshime tjera si populli shqiptar të përfshihet në kushtetutë, të ketë ndryshime në sistemin politik e tjera. Këto janë gjëra që partitë duhet ti bëjnë e jo të merren me sterilitete të ndryshme duke thënë se çfarë bëjmë ne me referendumin, por duhet ta dinë se referendumi nuk është vetëm se i shqiptarëve, ai nuk shpallet për çështje shqiptare, por për ndryshimin e emrit të shtetit”, thotë Demiri.