Partizani barazon me Qarabagun, kualifikimi vendoset në Baku

Partizani debutoi në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, duke ndarë një barazim pa gola në sfidën përballë gjigantëve azerë të Qarabagut, në sfidën e zhvilluar pasditen e sotme në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Kampionët e Shqipërisë vinin në këtë takim me një trajner të ri, si italiani Lerda, por me pak ndryshime nga skuadra që riktheu titullin pas 26 vitesh, teksa Willian Cordeiro, Esin Hakaj dhe Bitri ishin emrat e rinj të mbrëmjes së sotme.

Pjesa e parë nisi me Qarabagun më kërkues, por Lerda e kishte ngritur mirë “murin e kuq” në prapavijë, duke sprapsur thuajse çdo rrezik në kuadratin e Alban Hoxhës, ndonëse në një moment iu desh edhe fati në krah, për të mos pësuar.

E nëse mbrojtja ishte në lartësinë e duhur, sulmi ishte ai që çaloi në 45 minutat e para, teksa shkëndijën e vetme të kampionëve të Shqipërisë e dha Jasir Asani, me një depërtim të shpejtë nga krahu, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.

Një Partizan më kërkues u shfaq në pjesën e dytë dhe ishte menjëherë Egzon Belica, që pas një goditjeje nga këndi, gjuajti bukur me kokë, por topi u përplas në traversën e portës së Qarabagut, ndërsa në vijim të aksionit, gjuajtja e Cordeiro u bllokua nga Wagner.

Edhe në vijim Partizani zbriti disa herë në gjysmëfushën kundërshtare, por nuk arriti të kërcënojë seriozisht portën e azerëve, të cilët nga ana e tyre tentuan të largoheshin me fitore nga Tirana, por nuk e thyen barrikadën e kuqe.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit kryesor la në fuqi rezultatin 0-0, duke bërë që çështja e kualifikimit të shtyhet për në Azerbajxhan, kur më datën 17 do të luhet ndeshja e kthimit mes Qarabagut dhe Partizanit.