Pas 30 vitesh partia e Milo Gjukanoviç rrezikon të humbasë sot pushtetin

Partia e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç (DPS) ka arritur të sigurojë 35% të votave në zgjedhjet e së dielës, duke arritur në fakt rezultatin më të keq në vend, që nga pavarësia prej Serbisë 14 vite më parë.

Marketing

Rezultatet zyrtare tregojnë se aleanca opozitare pro-serbe ka marr 32.5%, çka do të thotë se ajo mund të arrijë të krijojë qeverinë nëse siguron konsensus me dy partitë e tjera opozitare. Kjo do të bënte që Partia Demokratike e Socialistëve të humbte pushtetin për herë të parë pas 30 vitesh.

Presidenti Gjukanoviç, i cili personalisht e ka drejtuar Malin e Zi për tre dekada tha të hënën se DPS do të respektonte rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa pohoi se ata ishin partia më e fortë në vend.

Ndërkohë lideri i koalicionit proserb, Zdravko Krivokapic tha për mbështetësit e tij: “Regjimi ra.”

Partia Demokratike e Socialistëve ka qeverisur vendin që nga viti 1991, duke e drejtuar në procesin e pavarësisë nga Serbia në vitin 2006 dhe drejt procesit të anëtarësimit në BE.  Gjukanoviç e futi vendin në NATO në vitin 2017 edhe pse përballë kundërshtimit të opozitës pro-serbe.

Por ka qenë një çështje lokale ajo që dominoi zgjedhjet e këtij viti. Një debat mbi të drejtat e pronësisë së Kishës Orthodokse serbe vuri përballë qeverisjen pro- perëndimore me aleancën pro -serbe dhe pro -ruse të drejtuar nga partia Fronti Demokratik.

Përpara votimit, analistët thanë për Euronew­s se Mali i Zi ishte një provë lakmuesi për të gjithë Ballkanin, ndërsa të dhënat tregojnë se vendi me 620,000 banorë është i ndarë më shumë se kurrë në çështje kyç si ajo e anëtarësisë në BE.

Sinisa Vukovic, lektor në Shkollën e Studimeve të Avancuara në “Johns Hopkins University”, tha se çështja e pronësisë së kishës dhe zgjedhjet në përgjithësi, përballën  dy vizione, në atë që Mali i Zi është dhe se ku po shkon.

“Këto janë përplasje që kanë ekzistuar për dekada në mos për shekuj dhe tashmë janë ngulitur.  Tani çështja është: ose je me ne, ose kundër nesh. Kompromisi nuk është  në plan” tha ai.

Por ndërkohë, opozita mundet tashmë të krijojë një koalicion qeverisës duke bashkuar parti me këndvështrime politike të ndryshme dhe me më pak të përbashkëta se sa opozita, kundrejt Partisë së Gjukanoviçit. Ata mund të sigurojnë 41 nga 81 vendet në parlament./Përshtatur nga Euronews.com

Marketing