Pas Katedrales së Parisit, digjet edhe ajo e Nantës

Katedralja e Nantës është përfshirë nga flakët mëgjesin e sotëm. Zjarri filloi në mëngjes herët, me flakë masive të dukshme nga jashtë ndërtesës.

Marketing

Më shumë se 100 zjarrfikës e sollën atë nën kontroll pas disa orësh. Por prokurorët dyshojnë se kemi të bëjmë me zjarrëvënie të qëllimshme.

Tre zjarre u ndezën në vend dhe një hetim mbi zjarrvënien e dyshuar është duke u zhvilluar, tha prokurori Pierre Sennes.

Zjarri shkatërroi xhamat dhe organon madhështore në katedralen e Shën Pjetrit dhe Shën Palit, e cila daton nga shekulli i 15-të.

Kjo ngjarje vjen një vit pas zjarrit shkatërrues në katedralen Notre-Dame në Paris.

Por shefi lokal i zjarrfikësve tha se zjarri në Nantë kishte qenë i përmbajtur dhe se “nuk ishte një skenar si i Notre-Dame”.

“Dëmi është përqendruar tek organo, e cila duket se është shkatërruar plotësisht. Platforma ku ndodhet është shumë e paqëndrueshme dhe rrezikon të shembet,” u tha Laurent Ferlay para gazetarëve.

Tavani i katedrales nuk ishte prekur nga flakët, tha ai.

Presidenti Emmanuel Macron reagoi në Twitter: “Pas Notre-Dame, Katedralja e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit është në flakë. Mbështetje për zjarrfikëset që janë duke marrë të gjitha rreziqet për të shpëtuar xhevahirin gotik”.

Ky nuk është zjarri i parë në katedrale. Ajo u dëmtua nga bombardimet e Aleatëve në 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas në 1972 çatia e saj u shkatërrua pjesërisht.

Ajo u rindërtua 13 vjet më vonë me një strukturë betoni që zëvendësoi çatinë prej druri.

Marketing