Pas kthimit nga Haga, Haradinaj mbledh Qeverinë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer mbrëmë nga Haga ku është intervistuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
Ai për sot ka ftuar mbledhjen e Qeverisë e cila është paraparë të mbahet në orën 14:00.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se nuk guxojnë që të lënë vendin në vakum qeverisës.
“Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj. Na priftë e mbara!”, ka shkruar ai.