Pas vizitës të Ciprasit, do të rritet këmbimi tregtar mes Shkupit dhe Athinës

Ekspertët e ekonomisë në Shkup vlerësojnë se marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në fushën e ekonomisë, paraqesin një mundësi për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Marketing

Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të martën, gjatë vizitës së kryeministrit grek Alexis Tsipras në Shkup, nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha për Radion Evropa e Lirë thotë se nënshkrimi i shumë marrëveshjeve gjatë vizitës së Tsiprasit në Shkup, do t’i jap impuls të shtuar rritjes së këmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, që aktualisht arrin vlerën prej 1 miliard dollarësh brenda një viti.

“Duke pas parasysh se Greqia është partneri i tretë si shtet strategjik, në aspekt të këmbimit tregtar, mendoj se do të vazhdojë trendi i rritjes së këmbimit tregtar. Marrë parasysh edhe vizitën e kryeministrit grek Tsipars dhe pjesëmarrjen e tij në forumin ekonomik që u mbajt në Shkup, ku morën pjesë më shumë se 400 kompani nga të dyja vendet fqinje, kompani këto nga sektorë të ndryshëm, që përfshinin ndërtimtarinë, minierat, industrinë bankare, industrinë e naftës, energjetikës, atë të kozmetikës e të tjera, pas nënshkrimit të shumë marrëveshjeve në planin ekonomik mes dy vendeve, pritshmëritë tona janë shumë pozitive”, thotë Hoxha.

Marketing