“Pasaportat”, dënim me burg për 2 të akuzuar të tjerë

Shqiptohen dënimet me burg edhe për dy të pandehur të tjerë në rastin “Sozia” pas pranimit të fajit për përfshirje në dhënien e pasaportave falso shtetasve të huaj. Shemsedin Jashari dënohet me 1 vit e 7 muaj burg, ndërkaq Olievra Sofronievska me dy vjet e pesë muaj pasi ka lejuar lëshimin e 198 pasaportave të rreme. Prokurorja, Spasenka Andonova, është shprehur se rasti do të përmbyllet së shpejti, duke u bazuar në faktet e fuqishme për keqpërdorimin e detyrës zyrtare që punonjësit e MPB–së. Sipas saj, për momentin hetuesia nuk disponon me informacion se sa para kanë fituar të akuzuarit nga pasaportat e jashtëligjshme të personave të dyshuar për krim dhe të kërkuar me fletarrest ndërkombëtarë.

Marketing

Ndërkohë, edhe një e akuzuar tjetër, nëpërmjet avokatit të saj ka paralajmëruar se do të pranojë fajin. Seancën e kaluar gjyqësore fajin pranuan edhe pesë të akuzuar të tjerë, të cilët u dënuan prej 2 vite burg deri në 2 vite e 7 muaj. Nga 11 të akuzuarit, për t’u gjykuar kanë mbetur edhe 3 të cilët nuk janë shprehur fajtorë. Të dënuarve, përpos privimit nga liria u ndalohet të ushtrojnë veprimtari apo profesion për dhjetë vite. Sipas aktakuzës, gjatë periudhës qershor 2017 deri në fund të 2020 janë dhënë pasaporta 214 shtetasve të huaj dhe një shtetasi të vendit.

Marketing