Pasi shpalli SHBA armike, Kim Jong-Un zbulon raketën e re balistike

Koreja e Veriut zbuloi një lloj të ri të raketës balistike, që lëshohet nga nëndetësja, gjatë një parade ushtarake në Phenjan. Teksa shfaqin Kim Jong-Un duke buzëqeshur, mediat shtetërore të Koresë së Veriut janë shprehur se kjo është arma më e fuqishme në botë.

Marketing

Raketa balistike është ekspozuar pak ditë pasi Kim Jong-Un e cilësoi SHBA si armikun më të madh të tij. Parada ushtarake u mbajt në Sheshin Kim Il Sung të Pyongyang, ku përveç raketës balistike u shfaqën trupa këmbësorie, artileri dhe tanke.

Koreja e Veriut ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Shtetet e Bashkuara, nën administratën e presidentit në largim, Donald Trump. Udhëheqësit e dy vendeve kanë qenë të përfshirë në kërcënime të ndërsjella, derisa janë takuar për herë të parë në Singapor, në vitin 2018.

Pas samitit të pazakonshëm, pak përparim është bërë në negociatat për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Samiti i dytë i planifikuar midis Trumpit dhe Kimit, në vitin 2019 në Vietnam, ka dështuar pasi Uashingtoni ka refuzuar kërkesat e Phenjanit për lehtësimin e sanksioneve./