Sistemi drejtësisë në Kosovë nga rasti i ish – prokurorit Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje nga Prokuroria Speciale e Kosovës pas kërcënimeve të vazhdueshme është në gjendjen më të keqe të mundshme.

Kështu thotë ish – kandidati i pavarur për president të Kosovës, Seremb Gjergji.

Ai thotë se pas deklarimit të gjeneralit Sylejman Selimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë filluar menjëherë kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij.

Sipas tij, që nga lufta 1999 e deri më sot, nuk ka pas ngjarje më të rëndë në drejtësinë e Kosovës. I gjithë sistemi i drejtësisë është përçarë dhe degjeneruar, veçmas ai Prokurorial.

Ai tutje thotë se, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është deklaratë më e përhapur në këto dy dekadat e fundit.

“Madje misioni i ambasadorit amerikan në Kosovë z. Greg Delaëie ka qenë “Lufta kundër Krimit dhe Korrupsionit”. Ne këtë projekt, ai personalisht e ka përkrahur deri në momentin kur kërcënimi është bërë shumë serioz. Nga ai moment as ambasadori nuk ka qëndruar prapa Elezit. Kjo në traditën tonë quhet TRADHTI. Pasi ia ka kthyer shpinën edhe ambasadori, gjithçka ka filluar të shkoi teposhtë. Deklarime e fundit të liderëve tanë e tregojnë këtë ndryshim. Qasja e tyre, ka ndryshuar shumë ndaj këtij problemi që kur kanë filluar bisedimet në Bruksel”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, politika ndërkombëtare është fokusur në diçka më të madhe dhe shumë më të rëndësishme – bllokimin e Serbisë të mos dalë në detin Adriatik.

“Kështu që deklaratë e fundit të Kryeministrit Haradinaj, për rastin Blakaj është emocionale dhe patriotike. Por asgjë politike dhe profesionale. Nuk është e lehtë të kthehesh në Kosovës kur je i kërcënuar nga 3 drejtime: 1. Ekstremistët, Pronto dhe “Veteranët”. Më e keqja, që ka familjen e kërcënuar – fëmijët dhe gruan. Ndërsa, deklarimi i fundit i z. Aleksandër Lumezit, është shumë i kujdesshëm që ta ruaj institucionin e Prokurorisë, por edhe mos të nxitë një konflikt të brendshëm ndërmjet institucioneve dhe politikanëve të fuqishëm. Për ta ruajtur një ballans që nuk ka ballans, është vështirësia më e madhe që mund ta kaloi një udhëheqës. Unë mendoj që z. Lumezi gabon që mundohet të ruaj ballancin. Në rastin aktual duhet të mbaj një anë”, pohon Gjergji.

“Mendoj se ai është dashur të dal në publik dhe t’i thotë edhe popullit edhe shtetit në Kosovë se unë i kam këto kërcënime– edhe pse z. Lumezi tash mbanë përgjegjësi për të gjitha”, përfundon ai.

Ai shtron disa pyetje rreth kërcenimëve të Blakajt.

“Nëse në rastet e përmendura të Prokurorit Blakaj ka pas kërcënime, atëherë cila Gjykatë apo Gjykatës do t’i gjykoi këto raste?! Çfarë lloj kërcënimesh do t’i kenë gjykatësit që ekskluzivisht do t’i adresojnë veç e veç këto raste”.

“Maje kësaj çështje i qesin edhe deklarimet e udhëheqësve politik, të cilët vet tregojnë se sa janë të përfshirë dhe intervenojë në raste të ndryshme. Intervenime ka në të gjithë botën, por të paktën, intervenuesit, nuk dalin në publik duke e trumbetuar atë ndërhyrje”, thekson ai.

Gjergji pohon se, sistemi Gjyqësor i Kosovës tash është para një akti i cili jo vetëm që është problem politik, por edhe problem vendimmarrës.

“Këtu shtesë është edhe deklarata e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm Gjen. Sylejman Selimi – për të cilin dëgjova që tashmë kanë filluar kërcënimet ndaj tij dhe familjes. Uroj që nuk është e vërtetë”, tregon Gjergji.

Sipas tij, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të dalin me një qëndrim që jo vetëm e mbron institucionin, por edhe e garanton popullatën që duhet të ndjehen të sigurtë.

“Nëse ata nuk e bëjnë, atëherë është detyrë e Presidentit. Sipas nenit 86, pika 2 – Presidenti i përfaqëson qytetarët e Kosovës. Presidenti ka obligim kushtetues të garantoj popullin për stabilitet të sigurisë dhe punë efektive të institucioneve të Kosovës. Qytetarët e lëshuan Kosovën, nëse askush nuk i siguron ata. Kosova do të mbetet “Republika e Komandantëve të Kosovës””, thotë Seremb Gjergji.

Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, ka thën se pas lufte janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë të UÇK-së.

“Sipas të gjitha shënimeve të komandantëve, të zonave në përgjithësi ka variuar numri deri në 12700”, ka thënë Selimi përmes telefonit, nga burgu i Dubravës.

“Ky është një numër që nuk është real dhe duhet të merren me të institucionet vendore po ashtu edhe ata që kanë luftuar”, shton ai, duke hedhur kundërshtuar numrin prej 60 mijë veteranëve që ka nxjerrë komisioni për verifikimin e statusit të tyre.