Pekini prezanton trenin e së ardhmes më të shpejtë se avioni

Pekini ka prezantuar trenin e së ardhmes, i cili mund të arrijë një shpejtësi prej 600 km/orë. Sipas inxhinierëve ky tren mund të përshkojë itenerarin Pekin – Shangai për tre orë e gjysmë. E njëjta rrugë me avion zgjat katër orë e gjysmë.

Marketing

Teknologjia, progresi, vizioni i të ardhmes: Kina udhëton shpejt dhe po aq shpejt synon që të udhëtojnë dhe qytetarët e saj.

“China Railway Rolling Stock Corporation” prezantoi prototipin e trenit të shpejtë me ngritje magnetike, në gjendje që të arrijë deri në 600 kilometra në orë duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Shangait dhe Pekinit, transmeton ornews. Sipas parashikimeve të inxhinierëve treni do të jetë në funksion brenda vitit 2021.

Bëhet fjalë për një prototip treni në gjendje që të përdorë magnetet për tu ngritur sipër binarëve, duke bërë që udhëtimi i tij të mos ketë fare forca fërkimi. Në rast se periudha e provës do të rezultojë e suksesshme, Pekini do të arrinte të përmirësonte rezultatet e arritura nga treni më i shpejt kinez i po këtij lloji me një shpejtësi maksimale prej 431 kilometrash në orë.

Sipas inxhinierëve treni do të jetë në gjendje të kryejë udhëtimin nga Pekini për në Shangai vetëm për tre orë e gjysmë. Ndërsa për të përshkuar këtë itenerar me avion duhen 4 orë e gjysmë, ndërsa me linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë pesë orë e gjysmë.

Ajo e ngritjes magnetike është një teknologji që përfaqëson një sukses të vërtetë të teknologjisë kineze. Por gjithsesi treni i prezantuar nga Pekini, me 600 kilometra në orë, nuk është një rekord absolut. Në vitin 2015, Japonia testoi një tren të tillë në Jamanashi i cili arriti shpejtësinë e 603 kilometrave në orë.

Marketing