Pendarovski: Ivanov, pengesa më e madhe e reformave gjyqësore sepse nuk i nënshkruan ligjet

Gjorge Ivanov me vetëdije i frenon proceset që janë me interes jetësor për qytetarët dhe pa bazë refuzon të nënshkruajë dekrete për qindra ligje që shkaktojnë dëme për qindra mijëra qytetarë në vendin tonë, tha sot kandidati për president i LSDM-së dhe Koalicionit,  Stevo Pendarovski.

Marketing

“Ndërsa unë jam duke folur për mënyrën se si t’i mbajmë të rinjtë në shtëpi dhe t’u sigurojmë atyre kushte për të krijuar një shtëpi dhe një familje në atdheun e tyre, Ivanov refuzon të ratifikojë Ligjin për subvencionimin e kredive për strehim. Ndërsa unë jam duke folur për barazinë gjinore dhe të drejtën për zgjedhje individuale, Ivanov e kthen gruan pas  dhe refuzon të nënshkruajë dekretin mbi vlefshmërinë e Ligjit për ndërprerje të shtatzënisë. Ndërsa unë kërkoj unifikim dhe të drejta dhe mundësi të barabarta, Ivanov mbështet diskriminimin e ri”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se Ivanovi është pengesa më e madhe për reformat gjyqësore, duke mos nënshkruar Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin mbi Kontestet Administrative. Ivanov, tha Pendarovski, refuzon të nënshkruajë ligjet e reja mbi veprat penale, energjetikën, duhanin dhe shumë ligje të tjera.

“Vota për Siljanovska është votë për një Ivanov të ri. Ata janë të interesuar vetëm për interesa partiake, dhe në këtë mënyrë i mohojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore të njeriut të të gjithë qytetarëve tanë. Nëse marr besimin tuaj,  unë do t’i nënshkruaj të gjitha këto ligje në ditën e parë të mandatit tim presidencial, por edhe të gjitha ligjet e tjera që do të vijnë, që janë me interes të lartë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, deklaroi  Pendarovski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Pendarovski e përshëndeti atë që dje e bëri Komisioni i ri Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke vënë në dukje se është hera e parë në historinë  tonë më të re politike që KSHPK-ja tregoi se mund të inicohen procedura edhe kundër zyrtarëve aktualë.

Marketing