Pendarovski: Metodologjia dhe data e negociatave me BE-në nuk duhet të jenë justifikim për cilësinë e reformave

Dobësitë në vetë Unionin, nuk e ulin përgjegjësinë tonë për mënyrën në të cilën do të zhvillohet integrimi evropian i vendit tonë. Pritja e metodologjisë së re për negociatat për anëtarësim dhe ndarja finale e datës për fillimin e negociatave gjatë pranverës së vitit 2020, nuk guxojnë të jenë arsye për shpejtësinë dhe cilësinë e reformave në vend për të cilat ne e kemi përgjegjësinë primare.

Marketing

Këtë e porositi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në hapjen e konferencës “Mundësi për integrim rajonal të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian” që po mbahet në Shkup në organizim të Unionit të Federalistëve Evropianë të Maqedonisë.

Ai shtoi edhe se me negociata të filluara në pranverë të vitit të ardhshëm, para nesh është një proces i gjatë dhe i rëndë i adaptimit që do të zgjasë, me optimizëm prej pesë deri në shtatë vjet.

“Deri atëherë, që të mbijetojmë si shtet dhe shoqëri demokratike, do të duhet të ballafaqohemi me problemet për të cilat qindra mijëra qytetarë tanë tashmë e lëshuan vendin. Problemi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë nuk janë vetëm sfidë për prokurorinë dhe gjyqësorin, por janë kusht themelor për ruajtjen e rendit publik. Tempoja relativisht e ngadalshme e zhvillimit ekonomik është pengesë kyçe për hapjen e vendeve të punës të paguara mirë, të cilat janë shpresa e vetme për ngadalësimin e rrjedhave emigruese. Përfundimisht, dobësitë në sistemin tonë arsimor, në shëndetësinë publike dhe mbrojtjen e mjedisit njerëzor gjithnjë e më shumë po bëhen shkaqe për pakënaqësinë te qytetarët dhe motiv për lëshimin e shtetit, por edhe nga ata të cilët kanë status relativisht të mirë social, por janë të pakënaqur nga funksionimi i sistemit”, theksoi Pendarovski.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov deklaroi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm si në kontekst të integrimit evropian ashtu edhe si mënyrë për menaxhim me sfidat me të cilat ballafaqohen dhe i ndajnë vendet e rajonit.

“Lidhja, krijimi i mundësive, çfarë arsimi kemi, çfarë shëndetësie kemi, sa punë ka, sa paguhet ajo punë, si janë demokracitë tona, a kemi institucione të fuqishme, a kemi gjykatës të pavarur dhe a kemi medie të lira, janë elementet të cilat do ta japin përgjigjen e pyetjes se a do të arrijmë të ecim në Evropë si shtete ose do të vazhdojë trendi i hyrjes në Evropë si qytetarë, individualisht. Ajo është gara para së cilës jemi”, theksoi Dimitrovi.

Ministri potencoi se është koha që në Ballkan të gjithë të pajtohen se lajmi i mirë për një shtet, është lajm i mirë për gjithë rajonin, se problemi i një shteti, është problem i gjithë rajonit, se asociacioni negativ që ka lidhje me një shtet ose politikat e një shteti, ndikon negativisht edhe në gjithë rajonin, theksoi Dimitrovi.

“Mendoj se për kombin tonë është shumë me rëndësi që gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm të bëjmë gjithçka që mundemi që ta rrisim presionin ndaj vendeve anëtare, të mos biem në kurthin e ‘viktimës’”, vlerësoi Dimitrovi.

Ai vlerësoi se do të ndihmojë shumë nëse të gjithë partitë parlamentare politike gjejnë forcë që ta miratojnë Ligjin për Prokurorinë Publike.

Zëvendëskryetari i Unionit të Federalistëve Evropianë Kristofer Glluk theksoi se ata besojnë se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa anëtarësim të plotë të vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Ai porositi se historia njeh vetëm një drejtim – anëtarësim të plotë të vendeve nga Ballkani Perëndimor do të bëhet, herët apo vonë. Dhe, siç tha, për këtë tani duhet të punoni shumë.

Tema e tretë e konferencës ishte “Roli i Kuvendit, shkencës, medieve dhe sektorit të OJQ-ve në promovimin dhe mbështetjen e iniciativave rajonale”, ndërsa në këtë drejtim drejtori i MIA-s, Dragan Antonovski, foli për “Lajmet e rreme në drejtim të diskreditimit të iniciativave qytetare”.

“Në këtë valë të keqpërdorimeve të profesionit të gazetarisë, të arsimimit të saj gjysmak, që janë interesi i partive politike, elitës së biznesit, politikës në përgjithësi, shtylla të vetme ku mundet dhe duhet të locohet profesionalizmi, të kontrollohet dhe ndërtohet, janë serviset publike dhe agjencitë e lajmeve”,vlerësoi Antonovski.

Ai theksoi se provokimi i ri i kohës së re, ose lufta e re e cila po vijon, qëndron në lajmin e vërtetë – përkundër lajmit të rremë.

“Ai shitet më shpejtë, nëse nuk e pengon me mohim, ai bëhet i vërtetë. Në këtë kontekst faktori bashkues, rrjetëzimi i burimeve relevante të informimit, standardet evropiane, gazetaria e agjencive është drejtimi ose rruga ku duhet të investohet shumë, dhe të punohet nëse dëshirojmë ta kemi pasqyrën e qartë për perspektivat e shoqërisë sonë dhe asaj evropiane si tërësi”, përfundoi Antonovski.

Marketing